Ambasadorja amerikane ka shkundur dje politikën shqiptare. Ndryshe nga sa jemi mësuar deri më tani, Yuri Kim po investohet personalisht që në sallën e Parlamentit të mos futen më njerëz me rekorde kriminale, persona të akuzuar për korrupsion apo individë të tjerë problematike.
Dje ambasadorja u ka dhënë direktiva të qarta drejtuesve politikë të PD, PS, LSI dhe Nismës Thurje në Elbasan, ndërsa në një deklaratë për mediat ka qenë tepër e prerë. Ambasadorja deklaroi se jo të gjitha partitë kanë marrë për bazë kërkesat e saj për të mos futur njerëz problematikë në lista, ndërsa e bëri të qartë se KQZ pritet të skualifikojë disa emra. Nga ana tjetër ajo deklaroi se 3 emra janë shpallur non grata nga SHBA dhe që duhet të mbeten jashtë Parlamentit.
“Janë tre emra që Sekretari i Shtetit i ka përcaktuar. Nuk do t’ua zë emrat me gojë por mund t’i shihni vetë. Më lejoni të them për çështjen e listave, siç e thamë më herët, pikëpamja e SHBA është bërë e qartë në mënyrë jodiplomatike nga unë. Mendoj që partitë e kanë marrë atë parasysh, jo të gjitha, por shumica e tyre.
Tani listat janë në KQZ dhe është detyra e tyre, së bashku me prokurorët që t’i kontrollojnë, t’i vetojnë ata kandidatë. Dhe mendoj që nuk do të habiteshim nëse disa kandidatë do të skualifikohen pas atij procesi”, tha ambasadorja amerikane. Ma tej ajo deklaroi se duhet të marrë fund një herë e mirë blerja e votës. Kim deklaroi se Elbasani është një qytet ku në zgjedhjet e shkuara vota është shitur e blerë, por kjo nuk duhet të ndodhë më.
Emrat “non grata”
Ambasadorja ia bëri të qartë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve se në lista nuk duhet të lejohen individë të shpallur “non grata” nga SHBA. Ajo ka shpjeguar për të parën herë se përse ata duhet të lihen jashtë edhe pse mund të mos jenë të dënuar. Mesazhi i saj duket qartë se ka qenë për deputetin Tom Doshi. Sipas ambasadores ata që cenojnë sigurinë e SHBA janë padyshim rrezik dhe për Shqipërinë.
“Është thelbësore që udhëheqësit politikë të marrin përgjegjësitë që listat e tyre janë në përputhje me ligjin shqiptar dhe që marrin parasysh përcaktimet e bëra nga Shtetet e Bashkuara, të cilat kur vendosen, nuk bëhen lehtësisht. E di që disa mund të thonë se “po, është përcaktuar nga SHBA por nuk është dënuar”. Mendoj se shumica e njerëzve me logjikë do të thoshin se kjo nuk është provë pafajësie, por është provë e mangësive të sistemit të drejtësisë të Shqipërisë dhe nevojës për reformën në drejtësi.
Kjo nuk ka të bëjë me nëse Shtetet e Bashkuara pëlqejnë apo nuk pëlqejnë dikë, por ka të bëjë me nëse Sekretari i Shtetit ka vendosur, pas kërkimit, informacionit dhe kohës të bollshme që dikush përbën kërcënim për sigurinë e SHBA. Dhe nëse dikush është kërcënim për sigurinë e SHBA, mendoj se është e vlefshme që votuesit shqiptarë dhe autoritetet shqiptare të shqyrtojnë nëse ky person mund të jetë një kërcënim edhe për sigurinë tuaj”, tha ambasadorja. Më tej ajo deklaroi se 3 emra tashmë janë shpallur “non grata” nga DASH dhe padyshim ata nuk duhet të jenë në lista. Deklarata e saj duket se i ka shkundur të gjitha partitë, ndërkohë që topi ka kaluar te KQZ.
Rreziku për Berishën
SHBA duket e vendosur për të mos lejuar në lista emrat e shpallur “non grata” dhe padyshim që përveç Tom Doshit i rrezikuar është ish-kryeministri Berisha. Është folur gjatë se ai është i padëshiruar nga SHBA, ndërsa mësohet se ai dhe familja e tij nuk marrin dot vizë nga SHBA. Tom Doshi pritet të futet si precedent për të eliminuar politikanët e tjerë “non grata” dhe me gjasë pas tij do ketë shumë emra të tjerë në politikë, përfshirë dhe ish-kryeministrin Berisha.