Jurgis Çyrbja kandidati për deputet i partisë Socialiste ka zgjedhur ditën e sotme të bëjë një fushatë ndryshe. Krahas takimeve me elektoratin, nuk ka munguar një takim edhe me “rivalin” politik, para zyrave të shtabit të partisë kundërshtare.
Në një postim në rrjetet sociale, Çyrbja ka postuar sot një foto ku shfaqet duke u takuar rastësisht para zyrave të shtabit të PD-së me koordinatorin Agustin.
Pas përplasjes së militantëve të dy partive në Elbasan, deputeti socialist bën apel për një fushatë qytetare, për një fushatë model, ku gjëja më e rëndësishme është respektimi i standarteve për zgjedhje të lira e të ndershme. Çyrbja shkruan se: “25 prilli nuk është fundi i njërit dhe lartësimi i tjetrit, sepse standardi zgjedhor është fitorja e të gjithëve”.
Postimi i plotë:
Agustini përfaqëson kahun tjetër politik, por kjo nuk na bën armiq me njëri-tjetrin! Ne jemi garues për të merituar besimin e qytetarëve tanë dhe këtë e bëjmë me qytetari të lartë, për një fushatë model, ku kundërshtari konkurohet dhe respektohet! 25 prilli nuk është fundi i njërit dhe lartësimi i tjetrit, sepse standardi zgjedhor është fitorja e të gjithëve.