Ish-kryeprokurori Adriatik Llalla rrezikon burgun. Procesi gjyqësor ndaj tij ka shkuar në fund dhe tashmë topi ka kaluar te Gjykata e Posaçme.
Dje Prokuroria e Posaçme dha pretencën për ish-kreun e akuzës ku kërkoi që të dënohet me dy vite burg, si dhe për 5 vite të mos ketë të drejtë të jetë pjesë e institucioneve shtetërore. Në seancën që shkoi gjykata pranoi gjykimin e shkurtuar ndaj tij dhe kjo do të thotë se nëse pranohet kërkesa e prokurorisë, Llalla mund të dënohet me 1.4 vite burg.
Ish-Prokurori i Përgjithshëm akuzohet për “fshehje dhe mosdeklarim të pasurisë”. Fillimisht, zoti Llalla, u dyshua për të paktën katër vepra penale, që nga mosdeklarimi i pasurisë, te mosdeklarimi i të hollave në kufi, shpërdorimi i detyrës dhe pastrimi i parave. Por në përfundim të hetimeve tre prej këtyre akuzave duket se nuk u arrit të provohen dhe gjithçka u reduktua te mosdeklarimi i pasurisë.
Seancën e radhës do të jetë avokati i Llallës që do të bëjë parashtrimet e tij dhe në seancë tjetër pritet që gjykata të japë vendimin nëse Llalla do të dënohet me burg, gjobë apo me shërbim prove. Ajo që vihet re është se procesi ndaj tij vijon të monitorohet rreptë nga amerikanët. SHBA ka ndjekur çdo seanca dhe vetë ambasadorja amerikane e ka bërë të qartë se ata presin ndëshkimin e Llallës. Tani do të jetë GJKKO që do të vendosë, ndërkohë që nuk përjashtohet mundësia që procesi të shkojë më pas dhe në shkallët e tjera.
Procesi dhe akuzat ndaj Llallës
Llalla akuzohet për veprën penale të parashikuar nga neni 257/a, i cili parashikon: “Fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publik ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre vjet”. Më 20 korrik 2018 prokurori vendosi në sekuestro preventive pasurinë e ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla. Prokuroria në atë kohë bëri me dije se u bë sekuestrimi i një apartamenti banimi, me sipërfaqe 67.2 m², ndodhur në Durrës.
Po ashtu në sekuestro janë vënë: tokë arë, me sipërfaqe 4.500 m², ndodhur në Tiranë; tokë arë, me sipërfaqe 12.300 m², ndodhur në Tiranë; tokë arë, me sipërfaqe 3000 m², ndodhur në Tiranë; tokë arë, me sipërfaqe 2250 m², ndodhur në Tiranë. Prokuroria ka dyshime se përmes këtyre pronave ka pasur pastrim parash. Kur dosja vajti në gjykatë pronat u hoqën nga sekuestro, më pas Apeli i riktheu po në sekuestro.
Rivlerësimi i pronave
Ajo që bie në sy është se Llalla ka blerë toka shumë lirë fillimisht dhe më pas ka deklaruar se i ka shitur shumë shtrenjtë. Për shembull, në vitin 2007 Llalla ka deklaruar një ullishte në Bathore, blerë 1.5 milionë lekë. Në vitin 2011 ai e rivlerëson pronën në vlerë 21 milionë lekë të reja.
Ndërsa po e njëjta pronë në vitin 2016 është shitur 249 mijë euro. Po ashtu ndryshime në vlerë ka pasur dhe për apartamentin në Durrës, tani i sekuestruar. Ai është blerë në mars të vitit 2012 në vlerën 2.2 milionë lekë të reja, ndërsa në prill po 2012, ai e ka rivlerësuar në rreth 5 milionë lekë të reja. E njëjta gjë ka ndodhur me një tokë në Qeha Shytaj në Tiranë.
Ai e ka blerë në dhjetor të vitit 2016 në vlerën 4.5 milionë lekë të reja. Por në maj të 2017 është rivlerësuar në 36 milionë lekë të reja, ose 360 milionë lekë të vjetra. ILDKP ka zbuluar se e njëjta gjë ka ndodhur dhe me prona të tjera, kryesisht toka, të cilave u është ndryshuar vlera në periudha shumë të shkurtra kohore. Këto lëvizje të tij kanë bërë që të ketë dyshime për pastrim parash dhe pronat janë vënë në sekuestro.