Kandidati për deputet në qarkun e Lezhës në listat e Partisë Demokratike, Mark Marku ka folur për mediat pas mbledhjes që zhvilloi bashkë me kolegët e tij me kryedemokratin Lulzim Basha.
Para selisë blu, Marku tha se ai është dakort që të zhvillohen protesta, gjë të cilën e ka kërkuar edhe gjatë mbledhjes, por që kryedemokrati Basha e ka kundërshtuar.
Përsa u përket personave që kërkojnë dorëheqjen e kryedemokratit Lulzim Basha, Marku tha se ata janë shërbëtorë të kryeministrit Edi Rama.
“Do të jetë një luftë totale. Do të jetë një luftë derisa Rama të largohet nga pushteti. Unë e kam thënë edhe më herët, duhet përdorur çdo gjë e mundshme për të mposhtur një regjim.
Aty ku nuk ka zgjedhje të lira, u lind e drejta qytetarëve që të marrin çdo vendim sepse pushteti është ilegjitim. Kryetari e ka deklaruar se nuk do të njohë zgjedhjet e 25 prillit.
Ata që kërkojnë dorëheqjen e Bashës janë shërbyer të Ramës. Me dashje pa dashje i shërbejnë atij. Nuk ka rëndësi a janë pjesë apo jo, mund t’i shërbejnë Ramës edhe duke qenë në PD, edhe pa dashje,”- tha Marku.