Opozita ka nisur një betejë të fortë në Komisionin e Ankesave dhe Sanksioneve për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve. Si PD ashtu dhe LSI kontestojnë rezultatin dhe kërkojnë rivotim në shumë qarqe.
Që të shkohet te rivotimi do të duhet të kalojnë shumë procedura. Elementi i parë që ka ndodhur është hapja e kutive të materialeve zgjedhore, ku janë konstatuar shumë parregullsi. Disa persona rezultojnë që kanë votuar disa herë. Ende nuk ka një vendim, por pritet që të shkohet në rinumërim të votave në disa qarqe.
kërkon rivotim në të gjitha qarqet që ajo ka humbur, por kush janë qarqet ku mund të kemi ndryshim rezultati? Berati është padyshim një qark ku të gjitha mundësitë janë të hapura. Në bazë të të dhënave finale të marra nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, bëhet me dije se Lëvizja Socialiste për Integrim e ka humbur mandatin për 77 vota.
Këtë mandat e ka marrë Partia Socialiste. KAZ zbuloi probleme në këtë qark dhe mundësitë janë të hapura, i dytë është Durrësi, ku LSI po ashtu lufton për një mandat. Në këtë qark ajo e humbi mandatin ndaj PS për 136 vota më pak. Por kemi dhe dy qarqe ku mandati i fundit ndahet për shumë pak vota, por që në këtë rast është PS ajo e cila mund të përfitojë. Në Dibër, PS e humbi mandatin e tretë përballë PD për 278 vota. Ndërsa në Elbasan e humbi mandatin e 9 për 64 vota. Nëse do të kemi rinumërim dhe masa të tjera, atëherë mund të kemi zhvillime në këto qarqe.
Beteja për Korçën e Tiranën
Një tjetër qark ku palët luftojnë është dhe Korça. LSI doli me zero mandate, por nga të dhënat e KQZ rezulton se asaj ia mori mandatin Partia Demokratike. Socialistët morën 60 mijë vota, demokratët 50 mijë dhe LSI mori 8500 vota. Demokratët rezultojnë shumicë në Bashkinë Devoll (46%) ndërsa socialistët janë shumicë në bashkitë e tjera, ku në Kolonjë morën 53%, në Maliq 52%, në Pogradec 49% dhe në Korçë me 47%. Në Bashkinë Korçë rezultati i socialistëve është vetëm 100 vota më i lartë se sa rezultati i PD dhe LSI të llogaritura sëbashku.
Por edhe pse LSI lufton për një mandat, vështirë ta arrijë sepse diferenca është mbi 1 mijë vota me PD për të marrë mandatin e parë. Tirana është një tjetër qark ku ka betejë. PS e humbi mandatin e 19 për shumë pak vota ndaj PD. Bëhet fjalë për një diferencë prej 216 votash. Ndërkohë kemi qarqe si Vlora, Shkodra, Lezha, Kukësi, Fieri, etj., në të cilët është e vështirë të ndryshojë rezultati pasi diferencat mes partive janë shumë të mëdha.
Qëndrimet e PS
Pavarësisht se PS ka humbur disa mandate për shumë pak vota, socialistët janë të kënaqur me 74 mandate. Ata akuzojnë opozitën se po tenton konflikt me kontestimin zgjedhjeve. “Që ti të kërkosh ribërjen e zgjedhjeve duhet të dokumentosh shkeljet e bëra ditën e zgjedhjeve. Ti kërkon këtë dhe nuk ke fakte. Çdo forcë politike ka të drejtën e ankimimit, por këtu ka mosmarrëveshje edhe midis drejtuesve të opozitës.
Dolën të dielën dhe thanë se në kuti është verdikti i popullit. Pse tani duhet të krijojnë kaq shumë anomali dhe përplasjeje politike? PS nuk duhet të bjerë në batakun e asaj çfarë kërkon opozita, pasi ne kemi një detyrim të madh ndaj qytetarëve, nëse duan të bashkëpunojnë janë të mirëpritur. Por shikoj një tendencë shumë negative dhe aspak bashkëpunuese për të mirën e vendit”, tha dje në media deputetja e PS, Klodiana Spahiu.