Sali Berisha ka nisur lobimet në SHBA kundër shpalljes “non grata”. Shoqata, shqiptaro-amerikanë dhe kongresmenë e senatorë janë vënë të gjithë në lëvizje për të kundërshtuar vendimin e DASH.
Sinjalet janë dhënë dje. Sekretari amerikan Antony Blinken ka raportuar në Komitetin e Marrëdhënieve me Jashtë në Dhomën e Përfaqësuesve të Kongresit, ku është pyetur nga kongresmeni Lee Zeldin lidhur me vendimin ndaj Berishës. Pyetja e parë e tij ishte: “Kohët e fundit ju keni njoftuar sanksione kundër ish-presidentit të Shqipërisë, Sali Berisha dhe për shumë nga ne, kjo erdhi si e papritur.
Sa i takon historisë së tij politike me SHBA-të, ai ka qenë një mysafir dhe aleat i ish-presidentëve Bush, gjithashtu një kundërshtar agresiv i George Soros. Çfarë informacioni specifik mund të ndani me komitetin për të justifikuar këtë lëvizje dramatike”.
Sipas informacioneve qëndrimi tij ka ardhur pas lobimeve të forta nga njerëz pranë ish-kryeministrit. Por, Sekretari Blinken e bëri të qartë se ndaj Berishës u veprua njësoj si ndaj çdo zyrtari tjetër të dyshuar se është i përfshirë në afera korrupsioni.
“Ne vijojmë të shohim përtej kufijve, rreth atyre të cilët janë të përfshirë në aktivitete korruptive, ata që nënvlerësojnë të drejtat e njeriut apo që paraqesin sfidë për demokracinë apo parimet demokratike. Në rastin e tij ne patëm një çështje të cilën e zhvilluam nëpërmjet procesit normal, përfshirë avokatët tani. Do të isha i lumtur ta ndaja me ju nëse do të ishte e dobishme, se për çfarë flitet ekzaktësisht”, tha Blinken. Zeldin pyeti edhe mbi pretendimet e Berishës se ka ndikuar Soros në këtë mes.
Ai pyeti: “Për të qartësuar diçka që ka lidhje me mbrojtjen e zotit Berisha. Thjesht po përpiqem të kuptoj se çfarë është e vërtetë dhe çfarë jo, a keni komunikuar ju apo dikush në emrin tuaj me zotin Soros? Thjesht po përpiqem të kuptoj se çfarë është e vërtetë dhe çfarë jo! Ndërsa Blinken u përgjigj: “Nuk mund të flas në emër të të gjithë Departamentit të Shtetit. Por unë jo”.