Ish-kryeministri Sali Berisha duket i vendosur për t’i shpallur luftë Amerikës. Shpallja “non grata” ka alarmuar Berishën, i cili ka nisur kërcënimet dhe akuzat ndaj Uashingtonit.
Deklarata e bërë ditën e enjte se nuk e përjashton rikthimin në krye të PD duket se nuk ka qenë diçka e momentit.
Dje Berisha pasi mori pjesë në zgjedhjet për kreun e PD, u pyet nga gazetarët për këtë deklaratë të bujshme. Ai u shpreh se i qëndron asaj që ka thënë duke kërcënuar sërish amerikanët. Lidhur me procesin zgjedhor brenda PD, ai u shpreh se ky proces do t’i nxjerrë demokratët më të bashkuar dhe kandidatët do t’i vazhdojnë përpjekjet e tyre për të mirën e saj pavarësisht rezultatit zgjedhor.
“Besoj se kjo nuk do të nxjerrë të ndarë, do të na nxjerrë të bashkuar, kandidatët i kanë shprehur pikëpamjet e tyre. Që është krejtësisht normale, janë zotuar që do të vazhdojnë përpjekjet e tyre për PD dhe për vendin pavarësisht nga rezultati. Të shohim se çfarë po bëjmë vetë për të organizuar shqiptarët, inkurajuar për t’i mbledhur dhe për t’iu kthyer shpresën, besimin, se Shqipëria e bukura e dheut nuk meriton të largohemi, por meriton të punojmë me guxim të madh.
Rikthimi në krye të PD? Unë jam konsistent në deklaratat e mia”, deklaroi ish-kryeministri. Ndërkohë pasi mori pjesë në votim, Berisha shkoi në zyrën e Bashës ku zhvilluan një takim prej gati 2 orësh. Askush nuk e di ende se çfarë është diskutuar pasi ishte një takim bilateral. Por dyshimet janë se çështja kryesore që është diskutuar, është shpallja “non grata”, pasi ish-kryeministri kërkon mbështetje nga PD. Po ashtu mund të jenë diskutuar deklaratat e Berishës për të marrë drejtimin e PD dhe zgjedhjet brenda saj.
Mesazhet e Berishës
Kujtojmë se ditën e enjte, ish-kryeministri deklaroi se e lë të hapur mundësinë për t’u rikthyer në krye të partisë duke treguar se nuk ka hequr dorë nga PD. “Kurrë mos thuaj kurrë! Nuk përjashtoj asnjë të drejtë timen kushtetuese më”, është shprehur Berisha. Lidhur me Urdhrin Ekzekutiv të presidentit Joe Biden për të futur Shqipërinë në listën e vendeve që u bllokohet pasuria në SHBA zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve të korruptuar, Berisha është shprehur se nuk ka asnjë lidhje me të.
Sipas tij vendimi ka lidhje me ata që duan të ndryshojnë kufijtë e Ballkanit duke sjellë destabilitet të tij. “Kam denoncuar Soros. Është korruptori i politikanëve. Kam bërë thirrje që Kongresi i SHBA dhe PE të bëjnë ligje kundër Sorosit, njeri ky me influencë të jashtëzakonshme. Soros hartoi në Beograd projektin e ndarjes së Kosovës. Filloi të fuqizohej falë lobimit të Vuçiç, Thaçit dhe Ramës. E mbështet urdhrin e Biden kundër ndryshimit të kufijve. Nuk më ka paditur njeri në jetën time, jam detyruar të shkoj në gjykatë kundër SHBA për të vendosur dinjitetin tim, jo për vendimin”, tha ai.