Prokuroria e Përgjithshme po vijon verifikimet për kandidatët e 25 prillit pavarësisht se pothuajse të gjithë mbetën jashtë Parlamentit.
KQZ dërgoi në prokurori rreth 28 emra për verifikim, por vetëm Zef Hila ka marrë mandat deputeti sepse emrat e tjerë janë jashtë Parlamentit.
Megjithatë verifikimet po vijojnë. Kjo gjë u bë e ditur dje nga kryeprokurori Olsian Çela gjatë fjalës së tij në Parlament ku prezantoi raportin vjetor të punës për vitin 2020. “Të gjitha rastet janë në proces, për disa raste janë përfunduar e janë bërë publike rezultatet, të cilat ne ia kemi dërguar KQZ. Rastet e tjera lidhen me çështje, të cilat duhen bërë verifikime jashtë vendit.
I janë bërë kërkesa Interpolit, që bën kërkesa në të gjitha vendet e BE e të tjera dhe jemi në pritje të përgjigjeve nga ata. Megjithatë në rastet kur kanë mbërritur përgjigjet e ka pasur nevojë për verifikime të mëtejshme është vijuar më pas me letër porosi për marrjen e rezultateve në totalin e tyre. Kur këto rezultate të jenë të plota ne do i trajtojmë të gjitha të dhënat që kemi grumbulluar e do ia drejtojmë KQZ”, tha ai.
Pastrimi i parave
Ndër të tjera, kreu i Prokurorisë së Përgjithshme, Olsian Çela, foli edhe sa i përket kriminalitetit dhe pastrimit të parave në vend. Kryeprokurori u shpreh, se është nënshkruar një memorandum sa i përket goditjes së pastrimit të parave, ndërsa theksoi se pastrimi i parave është prioritet i Prokurorisë. Ai vijoi më tej, duke thënë se duhet të ketë edhe bashkëpunim institucional, pasi sipas tij, në nivel lokal çalon bashkëpunimi.
“Kemi nënshkruar një memorandum që ka lidhje me goditjen e pastrimit të parave. Synuam të konvergojmë ndërveprimin institucional, prioritetet tona, duke pasur në fokus jo thjesht pastrimin e veprës penale, por edhe krimet financiare, si evazioni fiskal, etj. Për këtë u krijuan 7 seksione në prokuroritë më të mëdha të vendit, që e kanë fokusin në këtë grup veprash penale. Kam vënë re se në nivel lokal çalon bashkëpunimi. Disa drejtori rajonale, si ajo e Tatimeve, ku shihet se ka mungesë informacioni, që pasohet me goditjen e aseteve”, tha ai.
Çela flet për krimet
Lidhur me veprat penale si krimi dhe kundërvajtja, kryeprokurori Çela, bëri me dije numrin e procedimeve penale, të cilat u përkasin krimeve dhe kundërvajtjeve gjatë vitit 2020. Ai theksoi se nëse këto shifra krahasohen me vitin 2019, ka një ulje të procedimeve penale për krime dhe një rritje të procedimeve për kundërvajtje gjatë vitit 2020. “Sa i përket raportit të ndarjes së veprave penale (krimeve dhe kundërvajtjeve), bazuar në statistikat e vitit 2020, rezulton se 78,24% e procedimeve penale u përkasin krimeve dhe 21,76% u përkasin kundërvajtjeve penale. Krahasuar me vitin 2019, 4,76% e këtij raporti ka ulje në procedimet për krime dhe rritje në procedimet për kundërvajtje penale”, tha ai.