Kolegji Zgjedhor rrëzoi dje kërkesat e fundit të opozitës për përsëritjen e zgjedhjeve në qarqet Fier dhe Elbasan.
Më rrëzimin e këtyre kërkesave përmbyllet shqyrtimi i të gjitha ankimimeve të Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim për zgjedhjet e 25 prillit.
Kolegji i ka rrëzuar kërkesat e opozitës për pavlefshmëri dhe përsëritje të zgjedhjeve në disa qarqe, duke i konsideruar pretendimet e tyre të pabazuara në prova dhe në ligj. Ndërkohë, Partia Demokratike deklaroi se beteja e saj për transparencën e procesit zgjedhor nuk do ndalet këtu, por do të vijojë në Gjykatën Kushtetuese dhe Strasburg.
Pak kohë më parë, Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim ankimuan rezultatin e zgjedhjeve për 9 qarqe, fillimisht në KAS e më pas në Kolegj Zgjedhor.
Partia Demokratike kërkoi pavlefshmëri dhe ripërsëritje zgjedhjesh për qarqet Tiranë, Gjirokastër, Korçë, Elbasan, Fier, Vlorë, Durrës, Berat dhe Shkodër. Ndërsa LSI kërkoi pavlefshmëri dhe ripërsëritje zgjedhjesh për qarqet Gjirokastër, Korçë, Vlorë, Durrës dhe Berat, ndërkohë që kërkoi rinumërim për Beratin dhe Durrësin. Të vetmet kërkesa që u pranuan ishin ato për rinumërim të Beratit dhe Durrësit.
Të vetmet qarqe që nuk u ankimuan në KAS ishin Dibra dhe Kukësi. Tre ankimet e tjera në KAS u bënë nga kandidatët e pavarur në Lezhë, Gjirokastër dhe Tiranë, kandidatë të ardhur nga radhët e Vetëvendosjes, të cilët kërkuan pavlefshmëri dhe ripërsëritje zgjedhjesh, kërkesa që nuk u pranuan nga Komisioni i Ankesave dhe Sanksioneve.
Por pavarësisht se opozita nuk pranon rezultatin e zgjedhjeve, në shtator ajo do të futet në Parlament. Me përfundimin edhe të Fierit dhe Elbasanit i hapet rrugë certifikimit të rezultatit nga ana e KQZ për të vijuar në shtator me konstituimin e Kuvendit të ri.