Qeveria i ka kërkuar Prokurorisë së Posaçme të shkojë drejt shembullit kroat dhe rumun lidhur me hetimet e zyrtarëve të lartë.
Në Kroaci hetimet për shumicën e politikanëve kanë nisur në bazë të denoncimit në media. Kujtojmë këtu rastin e ish-kryeministrit Ivo Sanader, për të cilin hetimet nisen në bazë të disa shkrimeve në media se ai mbante ora të shtrenjtat. Kaq mjaftoi që institucionet atje të nisnin hetimet dhe Sanader të përfundonte në burg.
Sinjalet janë që, e njëjta procedurë do të ndiqet edhe në Shqipëri nga SPAK, pasi një rast i tillë ka ndodhur edhe tek ne. Përmendim këtu arrestimin e ish-Kryeprokurorit Adriatik Llalla, për të cilin hetimet nisën pas disa lajmeve në media mbi shpenzimet marramendëse të fëmijëve të tij edhe ky i fundit përfundoi në burg.
Të gjitha këto lëvizje tregojnë se, taktika të tilla do të ndiqen tani e tutje nga SPAK për hetime ndaj korrupsionit të lartë shtetëror. Këtë gjë e ka kërkuar vetë qeveria përmes një raporti të publikuar së fundmi, ku i rekomandon SPAK që hetimet për shumicën e politikanëve të nisin kryesisht pa pritur të ngrihet padi penale ndaj tyre.
“Vijon të mbetet i ulët roli i prokurorisë për sa u përket hetimeve proaktive ose hetimeve të filluara kryesisht për veprat penale të korrupsionit, pasi në total për të gjitha veprat penale rezulton se janë regjistruar vetëm 18 procedime penale kryesisht nga organi i Prokurorisë së Posaçme.
Prandaj, me qëllim garantimin e pavarësisë së prokurorit, Këshilli i Ministrave rekomandon: Marrjen e masave për forcimin e rolit aktiv të prokurorit në hetimin paraprak, në funksion të shtimit të rasteve të hetimeve, të filluara kryesisht nga vetë organi i prokurorisë”, rekomandon Këshilli i Ministrave.
Të zbatohen rekomandimet
Qeveria shprehet përmes këtij raporti se edhe në vitet e mëpasshme u ka kërkuar organeve përgjegjëse që të shtojnë numrin e hetimeve ndaj korrupsionit, por kjo kërkesë nuk është përmbushur gjatë 2020. Sipas të dhënave, hetimet e nisura kryesisht në kuadër të luftës ndaj korrupsionit janë shumë të ulëta, prandaj kërkohet me ngulm që këtë vit të përmbushen rekomandimet e lëna si detyrë.
Në këtë kuadër rekomandohet që të shtohet në mënyrë të ndjeshme numri i hetimeve të filluara pa padi, si dhe të ashpërsohen masat kur nga këto hetime zbulohen shpërdorim detyre dhe korrupsion nga ana e politikanëve, ministrave dhe ish-ministrave. “Krahasuar me vitin e kaluar regjistrohet rënie në numrin e çështjeve të filluara kryesisht në fushën e korrupsionit, pavarësisht rekomandimeve.
Prandaj për 2021 rekomandohet; shtimi i numrit të hetimeve proaktive (çështje të filluara kryesisht) me qëllim përmirësimin e cilësisë së hetimeve të veprave kundër korrupsionit; ashpërsimin e politikës penale nga ana e prokurorisë për veprat penale që kanë minimum dënimi 5 vite, veçanërisht për veprat penale të krimit të organizuar, krimeve të rënda kundër jetës, korrupsionit, krimit financiar e kryesisht të pastrimit të parave, armëmbajtjes pa leje, veprave penale që cenojnë mjedisin”, thuhet në dokument.