Prokuroria e Posaçme po kryen një sërë hetimesh të bujshme në prapaskenë. Shumë dosje të vjetra po rihapen, ndërkohë ka pasur padi të reja për mjaft çështje. Vjeshta rrezikon të sjellë zhvillime të shumta në fushën e drejtësisë dhe sinjalet janë se të rrezikuar janë të gjithë, si majtas ashtu edhe djathtas.
Kur PS erdhi në pushtet në 2013 nisi një valë padish në prokurori ndaj ish-ministrave të PD. Emra si Arben Imami, Ritvan Bode, Genc Ruli dhe shumë krerë bashkish u hetuan, por prokuroria i pushoi hetimet. Në atë kohë në krye të organit të akuzës ishte Adriatik Llalla.
Por me ngritjen e SPAK situata ka ndryshuar. Gazeta po tregon sot disa prej emrave aktualë me dosje në këtë organ, si dhe disa ish-zyrtarë të hetuar më parë, por që ndaj tyre janë pushuar hetimet. Mes emrave me dosje në prokurori është presidenti Ilir Meta. Padia është bërë nga juristi Romeo Kara, i cili ka dorëzuar një kallëzim për marrëveshjen CEZ-DIA. Juristi Kara në padinë që ka bërë në Prokurori, ka dorëzuar 300 faqe me informacion, ndërsa ka bërë një renditje të argumenteve të tij se përse kemi vepër penale.
Janë rreth 30 argumente, ku implikojnë Metën, Berishën dhe qeverinë e asaj kohe. Një tjetër emër i njohur me dosje në prokurori është ish-kryeministri Berisha. Përveç padisë për aferën CEZ-DIA, një dosje e fortë është dhe ajo e privatizimit të Kompleksit Partizani, ku Berisha është paditur bashkë me dhëndrin e tij dhe ish-ministrin Arben Imami. Momentalisht në SPAK janë disa kryetarë bashkie të paditur penalisht.
E para që u padit është Miranda Rira, ish-kryebashkiake e Prrenjasit, paditur për shpërdorim detyre. Po për të njëjtën akuzë është paditur Xhelal Mizu, ish-kryebashkiaku i Kamzës dhe Juljana Mema, kryebashkiakja e Dimalit. Ndërkohë duhet theksuar se ish-kryebashkiakja e Gjirokastrës Zamira Rami u dënua nga gjykata.
Dosjet e tjera
Një dosje voluminoze është ajo e inceneratorëve, ku PD dhe LSI kanë paditur kryebashkiakun Veliaj, ish-ministrin Koka dhe disa zyrtarë të tjerë. Po ashtu kemi dosjen e koncesioneve në shëndetësi ku i paditur është ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj. Një dosje e fortë është ajo e shembjes së teatrit ku janë paditur ministrja e Kulturës, kryebashkiaku i Tiranës, ish-ministri i Brendshëm. Presidenti Ilir Meta ka bërë dy padi të bujshme në SPAK.
Ai ka paditur ministren e Drejtësisë për botimin në Fletoren Zyrtare të vendimit që e rendiste Arta Vorpsin në krye të listës për në Kushtetuese. Po për debatin e Kushtetueses ka paditur dhe ish-kreun e KED, Ardian Dvorani. Dosje të tjera të forta janë ato të hetimit për gjyqtarët e Gjykatës së Lartë dhe asaj Kushtetuese të ngelur në veting. Një dosje tjetër e rëndësishme është ajo e hetimeve që kanë nisur për deputetin socialist Ervin Bushati.
Ky i fundit u padit për fshehje pasurie dhe SPAK ka nisur hetimet. Një padi e fortë është dhe ajo e koncesioneve të dhëna në shëndetësi gjatë kohës që ministër ishte Ilir Beqaj. Pra bëhet fjalë për shumë çështje me rëndësi, zbardhja e të cilave sigurisht do trazonte politikën.