E pazakontë, Vitore Tusha ka në tavolinë një dosje të Ilir Metës për kërcënimin e saj dhe të 4 anëtarëve të tjerë të Gjykatës Kushtetuese. Meta i urdhëroi që të rrëzojnë një ligj, ata nuk e zbatuan
Në dosjen e depozituar në Gjykatën Kushtetuese për shkarkimin e Ilir Metës është e përfshirë edhe një akuzë ndaj Presidentit për shantazh dhe kërcënim ndaj pesë anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, mes të cilëve edhe kryetarja Vitore Tusha.
Në fakt, Ilir Meta ka nisur presionin ndaj Vitore Tushës që kur kjo e fundit, në mes të vitit 2020, ftoi Ardian Dvoranin që të merrte pjesë në mbledhjet e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. Tusha e ftoi Dvoranin pasi ishte shkarkuar nga KLGJ-ja me porosi të Ilir Metës dhe Sali Berishës, në shenjë hakmarrje pasi Dvorani refuzoi urdhrin e Berishës në vitin 2012 për të votuar pro pafajësisë së Metës, për të cilin Ina Rama kërkonte dënimin me dy vite burg për korrupsion.
Kur Vitore Tusha i bëri një letër Dvoranit për të marrë pjesë në mbledhjet e KED, Meta e sulmoi me anë të ushtarit të tij në KED, Bledar Dervishaj, një personazh i dënuar.
Vitore Tusha është emëruar në Gjykatën Kushtetuese me pëlqimin e Sali Berishës në mars të vitin 2008. Nga ana tjetër, Ilir Meta e propozoi për kryetare të KLSH. Meta e dinte se nuk do të pranohej nga Kuvendi, por e bëri propozimin për t’u afruar me Vitore Tushën, me qëllim për të siguruar votën e saj në Gjykatën Kushtetuese. Tashmë vota e Vitore Tushës është vendimtare për shkarkimin ose jo të Ilir Metës.
Meta dhe Berisha kanë siguruar votat e Marsida Xhaferllarit dhe Sonila Bejtjas. Por, që Meta të shpëtojë duhet edhe vota e Vitore Tushës, e cila ka dhënë disa sinjale të qarta se do të pozicionohet në krah të SHBA dhe kundër dyshes Berisha-Meta.
Pikërisht për këtë arsye, Ilir Meta e ka kërcënuar paraprakisht Vitore Tushën, pasi Tusha votoi kundër një padie të mbrojtur fort nga Meta për të rrëzimin e ligjit për financat vendore. Para votimit, Ilir Meta u kishte dhënë një mesazh të qartë anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, duke u kërkuar qa ta rrëzonin ligjin.
Pesë anëtarët Vitore Tusha, Elsa Toska, Fiona Papajorgji, Altin Binaj dhe Përparim Kalo votuan kundra padisë për rrëzimin e ligjit. Dy anëtaret e emëruara nga Meta-Berisha, Marsida Xhaferllari dhe Sonila Bejtja votuan siç u tha Ilir Meta. Pas vendimit, Meta shantazhoi dhe kërcënoi pesë anëtarët që nuk votuan siç u tha ai. Pikërisht ky kërcënim është pjesë e dosjes për shkarkimin e Ilir Metës nga detyra si President.
Meta i ka dërguar edhe një shkresë Gjykatës Kushtetuese, duke falënderuar dy të besuarat e tij, Marsida Xhaferllarin dhe Sonila Bejtjan. Në letër Meta thotë se “Pesë anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese u kujtoj përmbajtjen e nenit 162, pika 1 dhe 163 të Kushtetutës…. Këtyre dispozitave të Kushtetutës sonë, duhej t’i referohej shumica në Gjykatën Kushtetuese, për të marrë vendim të drejtë, gjë që nuk ka mundur ta bëjë.
Nga ana tjetër, gjej rastin të falënderoj dy anëtarët e tjerë të kësaj gjykate, të cilat dhe pse të gjendura në pakicë, edhe në këtë vendimmarrje, si në shumë të tjera, kanë reflektuar përgjegjshmëri, integritet, profesionalizëm dhe pavarësi duke shprehur qëndrimin e tyre kundër vendimit të shumicës…”
Në dosjen për shkarkimin e Metës thuhet se “Në analizë të një shkrese tjetër të tij, nr. 1209, datë 05.04.2021 drejtuar Gjykatës Kushtetuese rezulton se Presidenti ka ndërhyrë në pavarësinë e një organi të pavarur duke udhëzuar se si duhet të vepronin gjyqtarët në vendimmarrje.
Ajo që vihet re që në fillim është që Presidenti i Republikës, në këtë rast së pari, nuk i drejtohet Gjykatës Kushtetuese si institucion, por i drejtohet në mënyrë individuale gjyqtarëve të këtij institucioni. Pra, në këtë rast kemi dukshëm një intidimidim ndaj veprimtarisë së vetë gjyqtarëve.
Së dyti, Presidenti në këtë shkresë vlerëson anën profesionale të pesë gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, të cilët sipas tij nuk ishin të aftë dhe nuk kuptonin siç duhet normat kushtetuese, të cilat merr përsipër që t’i sqarojë ai vetë. Pra, për Presidentin e Republikës, pesë gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese, nuk ditën t’i japin zgjidhje të drejtë dhe objektive çështjes, kanë lënë shteg për abuzime, nuk dinë të lexojnë Kushtetutën (përmbajtjen e neneve jua tregon Presidenti), si edhe si duhej që të vepronin për të marrë një vendim të drejtë.
Së treti, Presidenti merr përsipër të bëjë një diferencim midis vetë gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, kur bën vlerësimin edhe për dy gjyqtarë të tjerë të këtij institucioni”.
Sipas dosjes së shkarkimit të Metës “Këto shprehje të Presidentit në shkresën e sipërcituar, përbëjnë kërcënim të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese në punën e tyre dhe ndërhyrje në çështje që përbëjnë thelbin e veprimtarisë së tyre dhe të njëjtën kohë qëndrime në shkelje të parimit kushtetues të parashikuar në nenet 7 dhe 124 të Kushtetutës.
Përveç parimit të ndarjes së pushteteve, Kushtetuta përcakton Gjykatën Kushtetuese si një institucion të pavarur dhe që i nënshtrohet vetëm Kushtetutës. Këto parashikime nuk e lejojnë Presidentin e Republikës që të instruktojë, urdhërojë, apo t’u kërkojë anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, se si duhet të vendosin për çështjet objekt shqyrtimi”./Pamfleti