Në konferencën e përbashkët për shtyp me homologun maqedonas Zoran Zaev, kreu i qeverisë shqiptare, Edi Rama e ka komentuar me batutë vendimin e BE për mos caktimin e një date për Konferencën e parë ndër qeveritare.
“Ata thonë që na duan, por nuk janë gati për t’u martuar, në rregull ne do të shijojmë lirinë”, tha Rama.
Më tej Edi Rama tha se sfida e të dy vendeve është ndërtimi i një shteti europian me standarde europiane, por theksoi se nuk do ta humbasë gjumin se kur BE do të marrë një vendim pozitiv për anëtarësimin.
“Nuk e humbas gjumin se kur do te merret vendimi pozitiv për ne. Ajo që është e rëndësishme është që ne e kemi bërë punën tonë dhe ata e thanë këtë.
Kur të jenë gati duhet të na thonë, ne vijojmë punen tone. Sfida për ne është të ndërtojmë një shtet europian, institucione europiane, standarde europiane, ekonomike dhe sociale, këtu, në Shqipëri, Maqedoni të Veriut dhe Ballkanin Perëndimor. Kjo është ajo që kërkojnë fëmijët tanë dhe këtë meritojnë”.
Rama shtoi se dy vendet nuk kanë se çfarë të bëjnë më tepër sa i takon anëtarësimit, kështu që u mebtet vetëm të presin vendimin e vendeve anëtare.
“Çdo vend i BE-se mund të ketë momentin e shkëputjes nga familja Europiane, por siç tha Zorani, kjo nuk është diçka mes nesh dhe Europës, kjo është diçka mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë.
Por, Zorani dhe unë jemi ndër lexuesit e vjetër të “Duke pritur Godonë”, kështu që ne nuk kemi çfarë bëjmë me. Ne e duam BE-ne, ata thonë se na duan neve, por nuk janë gati për martesë. Kështu që ne shijojmë lirinë tonë derisa të martohemi”.
Edhe kryeministri maqedonas nuk e quajti të drejtë për Shqipërinë këtë vendim, por tha se është e rëndësishme që të vijojë procesi i reformimit nën vëzhgimin e BE-së.