Kryetari i Këshillit Kombëtar në PD, Bujar Nishani ka sulmuar dje Lulzim Bashën për ndryshimet në statutin e PD. Pak ditë më parë lideri i Partisë Demokratike paraqiti propozimet e tij për ndryshimet dhe rinovimin e partisë, por që nuk janë pritur aspak mirë nga pjesa më e madhe e këshillit.
Kundër këtyre propozimeve është edhe Bujar Nishani, i cili përmes një interviste televizive ditën e djeshme ka hedhur një sërë kritika dhe akuza ndaj Bashës. Sipas Nishanit propozimet e Bashës janë joserioze dhe kanë tendencë dashakeqëse, që më shumë e shkatërrojnë partinë se e ringrejnë atë. Nishani tregoi që Këshilli merr për bazë ato propozime që mundësojnë një përfaqësim të denjë të PD në politikë.
“Mbështes çdo propozim që vjen nga çdo anëtar i PD që bëjnë të mundur hapjen e partisë dhe ringritjen e saj. Por, propozimet e Bashës janë dashakeqe dhe ato pak formalitete që kishin po zhbëhen të paktën në Këshillin Kombëtar. Kryesia e PD nuk mundet të jetë e caktuar nga kryetari, por duhet të krijojmë një ambient politik ku të jetë përfaqësuar anëtarësia e PD”, deklaroi ai.
Kritikat e Nishanit ndaj Bashës kanë shkuar edhe më tej, duke e akuzuar këtë të fundit se po përdor postin e kryetarit për ta kthyer PD në interes të vet. Kreu i Këshillit tha se Lulzim Basha po kthen partinë në zyrë personale dhe Këshillin Kombëtar nga vendimmarrës në organ këshillues. “Sot po tentohet që ky këshill nga në institucion vendimmarrës të kthehet në një trupë këshilluese për kryetarin e partisë.
Një PD që po zhbën dhe ato pak formalitete po shkon drejt një partie që po konsiderohet një zyrë personale e zotit Basha”, deklaroi ai. Ndër të tjera kreu i Këshillit të PD u shpreh se Basha nuk mund të merret si shembull për reformimin e partisë sepse asnjëherë nuk ka shprehur gatishmërinë dhe aftësitë për të drejtuar një parti aq të rëndësishme dhe të madhe si PD.