Zbardhen prapaskenat e refuzimit të certifikatës së sigurisë për një anëtar të Gjykatës Kushtetuese. Gazeta “SOT”, një ditë më parë tregoi se një gjyqtari i është refuzuar nga DSIK certifikata e sigurisë, pas aplikimit sa i takon shqyrtimit të çështjes për shkarkimin e presidentit.
Gazeta ka siguruar të tjera detaje mbi këtë proces, i cili duket se është i gjatë. Gazeta nuk po publikon emra, por po bën me dije se DSIK i ka dhënë sinjalet për refuzimin që kur kandidatura në fjalë ishte duke u shqyrtuar në Këshillin e Emërimeve në Drejtësi.
Ky i fundit, pasi merr në dorë kandidaturat nis një proces verifikimi dhe mes institucioneve që bashkëpunohet është DSIK. Në kohën e verifikimit ka pasur me dhjetëra letërkëmbime mes KED e DSIK, pasi kjo e fundit ka dorëzuar një raport negativ për gjyqtarin në fjalë. DSIK e ka cilësuar si të papërshtatshëm personin, pasi kishte të dhëna se ishte përfshirë në afera korruptive, duke favorizuar kriminelë në një proces gjyqësor. Duke qenë se DSIK nuk kishte prova faktike, KED e refuzoi si informacion.
Nga ana tjetër DSIK e ka bërë të qartë që në atë kohë se nuk do pranojë që ky gjyqtar të pajiset me certifikatë sigurie edhe pse më herët ka pasur një certifikatë të tillë, e cila i ka mbaruar. Gjyqtari në fjalë kur DSIK ka dorëzuar të dhënat në KED, ka kërkuar të njihet me informacionin dhe pse në atë kohë kishte certifikatë, por DSIK e ka cilësuar si të papërshtatshëm dhe i ka bërë të ditur KED se nuk mund të njihet me këto të dhëna.
“Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, bazuar në kërkesën e kandidates për njohjen me informacionin e klasifikuar, me shkresën nr.414 prot., datë 01.07.2019. i është drejtuar me kërkesë për ndihmë administrative Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, për qëndrimin që sipas ligjit mbahet në rastet kur një subjekt me certifikatë sigurie kërkon të njihet me informacion të klasifikuar që përmban të dhëna për të njëjtin person.
Drejtoria e Sigurimit të informacionit të Klasifikuar, me shkresën nr. 1822 prot., datë 04.07.2019, ka përcjellë pranë Këshillit të Emërimeve në Drejtësi qëndrimin se nevoja për njohje të informacionit të klasifikuar kuptohet nevoja për të pasur qasje tek informacioni i klasifikuar në kuadrin e një funksioni të caktuar zyrtar dhe me qëllim përmbushjen e një detyre funksionale.
Për këtë arsye kandidati/ja nuk është në kushtet e nevojës për njohje”, prandaj nuk mund të ketë qasje në informacionin e kërkuar të klasifikuar sekret shtetëror”, thuhet në raportin e KED.
Korrespodencat
KED ka shkëmbyer shumë shkresa me DSIK, pasi kjo e fundit nuk pranonte që informacioni sekret t’i vihej në dispozicion kandidatit. Në fund KED kërkoi deklasifikimin e informacionit, i cili u deklasifikua pjesërisht. Pra sinjalet DSIK i ka dhënë që në periudhën e verifikimit, pasi e ka bërë të qartë se ky subjekt nuk mund të ketë akses te dokumentet sekrete.
Tashmë situata duket se është kaotike në Kushtetuese. Në dosjen për shkarkimin e presidentit ka dhe disa dokumente sekrete të marra nga SHISH dhe policia. Aty ka të dhëna mbi takimet e dyshimta të presidentit Meta. Këto të dhëna mund të jenë vendimtare në vendim, por nëse nuk ka ndonjë ndryshim rrugës për gjyqtarin në fjalë, atëherë ai mund të përjashtohet nga procesi.