Shkarkimi i presidentit Ilir Meta nga detyra pritet të vendoset në vjeshtë. Kushtetuesja ka marrë në dorë dosjen e dorëzuar nga Kuvendi, por po shqyrtohen me detaje të gjitha argumentet e dhëna nga komisioni hetimor dhe me gjasë në shtator do të kemi nisjen e procesit gjyqësor.
Por duket se presidenti nuk do e ketë aq të lehtë këtë betejë në Kushtetuese, ndryshe nga sa ka ndodhur me disa përballje të tjera si ajo e teatrit, kompetencave të ministrave, etj.
Sipas asaj që po dëshmohet deri më tani, Kushtetuesja me shumë gjasë do të ketë 9 anëtarë kur të merret vendimi për shkarkimin e presidentit.
Puna ka nisur dhe nuk do të ketë vonesa rrugës. Gjykata e Lartë ka dorëzuar në KED 9 emra për 3 vakancat e mbetura bosh. Puna tashmë ka nisur dhe planet e KED janë që në shtator të jetë mbyllur i gjithë procesi. Momentalisht 2 anëtarë në Kushtetuese anojnë krah presidentit dhe në dilemë është qëndrimi i një tjetri. Pra vetë Meta tentoi të fuste të besuarit e tij aty.
Por nëse shkon në 9 numri i anëtarëve të Kushtetueses, atëherë ndikimi i presidenti nuk ka fare vlerë. Ndërkohë po punohet paralelisht për plotësimin e Gjykatës së Lartë me 10 anëtarë. Kjo e fundit ka 7 momentalisht dhe i duhen 10 emra që të votojë anëtarët e Kushtetueses. KLGJ i ka gati emrat dhe brenda muajit mbyllet procesi. Pra me plotësimin e Gjykatës së Lartë hapet rruga dhe për Kushtetuesen.
Përshpejtimi i procedurave
Zakonisht jemi mësuar që në KED të ketë betejë të fortë për kandidaturat, por këtë herë duket se do jetë ndryshe. Anëtarët duken tepër të vendosur për të çuar para këtë proces. Vetë KED ka dalë me një njoftim, ku iu bën thirrje institucioneve dhe qytetarëve që nëse kanë të dhëna dhe dokumente për 9 kandidatë në fjalë, t’i dërgojnë pranë institucionit.
“Në ligjin nr.115/2016 dhe ligjin për Gjykatën Kushtetuese, neni 7/ç pika 1, etj., parashikohet se institucionet publike që kanë lidhje me sistemin e drejtësisë, organizatat e shoqërisë civile me veprimtari në mbrojtjen e të drejtave të njeriut ose të krijuara për mbrojtjen e interesave të përdoruesve të sistemit të drejtësisë, paraqesin opinionet e tyre në lidhje me kandidaturat pranë KED.
Këshilli i Emërimeve në Drejtësi e konsideron këtë njoftim jo thjesht si një përmbushje të një detyrimi ligjor kundrejt publikut, pasi në përmbushje të përgjegjësive kushtetuese dhe ligjore KED synon të garantojë një proces të rregullt ligjor, transparent, me integritet dhe të besueshëm”, thuhet në njoftim. Sipas KED, kushdo qëka informacione duhet t’i dorëzojë në adresën e e-mail-it [email protected].
Në njoftim thuhet qartë se do të përzgjidhen kandidatët më të mirë dhe më profesionalë. “Prandaj ky këshill është tërësisht i angazhuar të vlerësojë dhe mirëpresë kontributin e të gjitha institucioneve publike, organizatave dhe shoqërisë civile, MEDIA-s dhe publikut, për të përcjellë të dhëna dhe informacione në lidhje me kandidatët, të cilat do të shqyrtohen me vëmendje të veçantë, objektivitet dhe profesionalizëm, në funksion të verifikimit të gjithanshëm dhe sa më të thelluar të integritetit të kandidatëve, si dhe për të mundësuar përzgjedhjen mes tyre, të kandidatëve bazuar në meritat profesionale dhe morale”, thekson KED./Sot