Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka lënë në fuqi masën e sigurisë arrest me burg për babanë e Arbër Çekajt, Selim Çekajn, i cili u vu në pranga pasi policia sekuestroi sasinë prej 49 kg kokainë, në kompania e djalit të tij.
Çekaj pretendon se nuk ka lidhje me ngarkesën e drogës, ndërsa si argument për t’u liruar nga burgu, ai përdori problemet shëndetësore, si dhe të kujdeset për bashkëshorten e tij.
Ndërkohë, avokati i Selim Çekajt, Maks Haxhiaj e cilësoi skandaloz dhe të papërgjegjshëm vendimin e GJKKO për të lënë në burg 71-vjeçarin.
“Është shumë interesant që prokurori tha para gjykatës se nuk ka prova që Selim Çekaj të jetë i implikuar. Kjo është një masë ekstreme, pasi është mbi 70 vjeç dhe është i sëmurë. Janë argumente të avancuara për të ndryshuar masën e arrestit.
Gjykata me papërgjegjshmëri, shkel ligjin me të dyja këmbët. Shkelje tjetër është se nuk ka ardhur në seancë as Selimi, pasi kur shqyrtohet masa, duhet të jetë i hetuari. Ai është me diabet 700, që i ka nxjerrë jashtë funksionit veshkat. Qesharake është edhe që po hetohet për grup të strukturuar kriminal, kur është vetëm një person”, tha avokati Haxhiaj.