Pas incidentit të ndodhur në selinë e Partisë Demokratike, duket se në ambientet e PD është rritur siguria. Pak ditë pas hyrjes me dhunë të ish-kryeministrit Sali Berisha në zyrat e Partisë Demokratike dhe shkelmimit të derës së zyrës nga mbështetësi i tij, në selinë blu janë marrë masa.
Në ambientet e jashtme të Partisë Demokratike ka filluar një kontroll për kamerat e sigurisë, duke rregulluar ato që ishin jashtë funksionit.
Kujtojmë se, pak ditë më parë, ish-kryeministri Sali Berisha bashkë me të ashtuquajturin Komisioni për Rithemelimin u futën me dhunë në selinë e Partisë Demokratike, ndërsa mbështetësit e tij shkelmuan derën e sallës së mbledhjeve me urdhër të Flamur Nokës. Kjo u dënua nga Lulzim Basha, i cili tha se këto veprime tregojnë dëshpërimin e Berishës. Nga ana tjetër, ish-kryeministri Sali Berisha ka vijuar akuzat ndaj liderit demokrat Lulzim Basha.
Me anë të një postimi në rrjetet sociale, ai u shpreh, se Basha është duke humbur arsyen çdo ditë që kalon edhe më shumë. Berisha theksoi, se ishin të qarta të gjitha votat e demokratëve që votuan shkarkimin e liderit demokrat në 18 dhjetor. “Deputeti Basha, pas karriges, dita-ditës po humbet dhe arsyen! Frika nga përballja me vullnetin e 44 mijë demokratëve që votuan për shkarkimin e tij në datën 18 dhjetor e shtyn çdo ditë në absurditete të reja”, tha ai.
Ndër të tjera, Berisha u shpreh, se Partia Demokratike po kthehet në një bunker të sigurisë së lartë. Ai theksoi, se Basha nuk po e kupton se kryetar nuk e bënë vula që ka, por vetëm vullneti i demokratëve që votuan për shkarkimin e tij.
“Shndërrimi i shtëpisë së lirisë në një bunker të sigurisë së lartë është dëshmi e vetmisë dhe paranojës që ka kapluar karrigethyerin që ka humbur arsyen për të kuptuar se lider dhe kryetar nuk të bënë as vula, as brava dhe as kamerat e sigurisë, por vullneti i 44 mijë demokratëve që të dhanë përgjigjen më të merituar në datë 18 dhjetor”, tha ai.
Berisha: PD do t’u kthehet demokratëve
Ndërkohë, ish-kryeministri Sali Berisha u shpreh se shumë shpejt sipas tij, Partia Demokratike do t’u kthehet demokratëve. Ai theksoi, se Basha duhet që ta kuptojë se vullnetin e demokratëve nuk mund ta pengojë dot askush. “Partia Demokratike do t’u rikthehet shumë shpejt demokratëve, pronarëve të saj të vërtetë dhe është në interes të ish-qeraxhiut ta kuptojë se nuk ka kamera, bravë apo gaz lotsjellës që mund ta ndalë vullnetin e tyre!”, tha ai. Ndërkohë, kujtojmë se Partia Demokratike do të mbledhë Këshillin Kombëtar ditën e enjte.
Në mbledhjen e radhës së Këshillit Kombëtar e cila pritet të zhvillohet në orën 17:30, do të shqyrtohen vendimet e Kuvendit të Partisë Demokratike të 18 dhjetori. Dhe një nga vendimet e marra është edhe largimi i ish-kryeministrit Sali Berishës nga të gjitha funksionet e Partisë Demokratike.