Sali Berisha, ka zhvilluar këtë të mërkurë një takim me sindikatat. Kreu i selisë blu u shpreh se PD-ja është në mbështetje të plotë të sindikatave. Duke thënë këtë, ai shtoi se PD-ja është e gatshme të thërrasë shqiptarët në protestat e qëndrueshme deri në rrëzimin e qeverisë në momentin më të përshtatshëm dhe të duhur. Këtë tha se do e vendosin bashkarisht, PD-ja dhe sindikatat.
“Le ta konsiderojmë këtë një fillim të ri, me shpresë. Një publicist i njohur shkruante këto ditë: Vendi im, si të thashë është jetim, pa sindikata. Le t’i japim përgjigje ne shqiptarëve që sindikata është në këmbë, është e gatshme dhe ju garantoj ju se PD do të jetë në mbështetje tuaj totale. Duke thënë këtë ajo është e gatshme të thërrasë shqiptarët në protesta të qëndrueshme gjer në rrëzimin e kësaj qeverie në momentin më të përshtatshëm dhe më të duhur që të vendosim bashkarisht”, u shpreh Berisha.
Kryedemokrati hodhi akuza edhe ndaj Kryeministrit Edi Rama, duke thënë se shpërblen këngëtarët që këndojnë për të në tunel dhe jo artistët.
“Sot unë kisha artistë në zyrë. I konsideron të paqenë Edi Rama. Ata që këndojnë këngën e tij tek një tunel i shpërblen me 23 milion Lekë, kurse artistë të tjerë flaken rrugëve. Po, po ky është realiteti”, tha Berisha.