Juristi Romeo Kara ka ironizuar sulmet dhe akuzat e ish-presidentit Ilir Meta për çmimin e energjisë. Ditët e fundit Meta është ndaluar te rritja e çmimit të energjisë, por juristi i ka kujtuar aferat kur Meta ishte ministër i Energjisë.
Juristi tregon se në atë kohë çmimi i energjisë lëvizte sipas interesave dhe ishin qytetarët ata që e pësonin.
“Nuk i ndahet shpirti nga sektori energjetik… Pikërisht, në kohën kur e qeveriste “miku” sektorin, banditët e sektorit detyronin abonentët të paguanin fatura të çmendura me pretekstin se: “kështu e nxjerr sistemi”. Sistemi i atëhershëm ishte “shenjtëruar” dhe bërë i paprekshëm. Atëherë, ata që paguanin, (pasi krahina të tëra nuk paguanin), paguanin edhe për ata që nuk paguanin”, tha ai në rrjetet sociale.
Juristi u ndal dhe të pakti që u arrit me CEZ. Sipas Romeo Kara, mashtrimet që u bënë me nivelin e borxhit shkatërruan sistemit energjitik.
“Të mos flasim për politikat e çmimit të energjisë të ERE-s së atëhershme, e cila i luante ato sipas oreksi të “mikut”, duke ndjekur si variabël, pazaret e bëra nëpërmjet kompanive debt collection.
Atëherë, për arsye politike, nuk vidhej populli direkt nëpërmjet rritjes së çmimit, por, nëpërmjet buxhetit te shtetit dhe politikes së çmimit të rregulluar, e cila nëpërmjet mashtrimit me borxhin e keq dhe bilanceve fase, të bazuar tek ai borxh, kanalizonte paratë lumë në adresë të çekëve, në kurriz të këtij populli, i cili sot po i dhimbset shumë “mikut”.
Sigurisht që patrionalizmi duhet t’i përkasë së kaluarës dhe të zhduket si dukuri politike, por, vetë “miku”, që sot akuzon patronazhistët, është patronazhisti më i madh i llojit të tij, patronazhisti nr.1 i krimit”, tha ai.