Magjistrati italian që e ktheu në mision të jetës luftën ndaj mafies e që në luftë me të humbi tragjikisht jetën mbetet shembull frymëzimi për shumë dhe një emër i përmasave gjigante për të gjithë idealistët që kërkojnë ta ndryshojnë sistemin e drejtësisë. I tillë ishte edhe për Engert Pëllumbin, gjyqtarin shqiptar jo pak të njohur për median dhe opinionin publik, si i pari magjistrat që çoi pas hekurave një zyrtar të lartë shqiptar, si ish-ministri Tahiri, duke përmbushur kështu qëllimin për të cilin nisi Reforma në sistemin e Drejtësisë dhe u ngritën organet e reja.
Dëshirën për të ndjekur studimet në Jurisprudencë dhe ambicien për të vijuar më tej rrugën si gjyqtar, ia adreson në një dozë të mirë, figurës së Giovanni Falcone-s. Si një homazh për këtë figurë, Pëllumbi vjen edhe njëherë në vëmendjen mediatike, por kësaj here në rolin e përkthyesit.
“Giovanni Falcone, një hero i vetmuar”, është botimi më i ri i UET PRESS, që rrëfen hollësi nga jeta personale dhe profesionale e magjistratit. I shkruar në gjuhën italiane nga e motra, Maria Falcone dhe Francesca Barra, vjen për lexuesin shqiptar me përkthim të gjyqtarit Engert Pëllumbi.
“Me librin jam njohur vonë. M’u bë dhuratë nga një koleg dhe miku im, që librin e pati blerë në Palermo, në qytetin ku Falcone u lind dhe kreu veprimtarinë e tij si prokuror, si gjyqtar hetues. Pas njëfarë kohe, pasi u dashurova me këtë libër, mendova ta sjell në gjuhën shqipe. Më mirë vonë sesa kurrë”, thotë gjyqtari. Librin e prezantoi për lexuesit gjatë ditëve të Panairit të 25 të Librit, në Pallatin e Kongreseve.
Ai shpjegon më tej se ky libër, mund të lexohet jo vetëm nga juristët, gjyqtarët, prokurorët, por edhe publiku i thjeshtë, “…pasi mesazhet që jep Falcone, me gjithë jetën dhe veprimtarinë e tij janë mesazhe që i shërbejnë të gjithë shoqërisë”, thotë më tej Pëllumbi. Në hyrje të librit, përkthyesi jep mbresat personale, i frymëzuar në shtegtimin e karrierës, nga një figurë si e Falcone-s.
“Është një shtegtim i bukur, por me sakrifica të mëdha, sakrifica të cilat në fakt i japin shijen e vërtetë dhe kurorëzojnë “ndjenjën e shërbimit” ndaj të tjerëve”, shkruan Pëllumbi.
Ndonëse ky nuk ishte përkthimi i parë për Pëllumbin, i cili tregon se më herët ka përkthyer tekste të lidhura ngushtë me profesionin, libri i Falcone-s ishte specifik.
“Përveç punës si gjyqtar shkruaj shkrime akademike, jam në proces të shkrimit të një libri, por duke ditur madhështinë e figurës së Faclone-s dhe penën e artë të motrës së tij në këtë libër, mendova ta provoja veten edhe në fushën e përkthimit, duke qenë edhe njohës i mirë i gjuhës italiane”, shton më tej magjistrati.
Pëllumbi mendon se figura si ajo e Falcone-s, por edhe të magjistratëve të tjerë italianë- ata, të cilët nuk kanë kursyer asgjë për drejtësinë -, duhet të bëhen më shumë të njohura në radhët e magjistratëve, juristë ve, por edhe publikut të gjerë shqiptar, “për shkak se, figura të tilla paralele, për fat të keq mungojnë në Shqipëri”, thotë ai.
Nëse do të kërkonim një përkufizim për Giovanni Falcone-n, shkruan përkthyesi në hyrje të librit, nuk mund të gjenim më të mirë sesa përkufizimi që ai i ka bërë vetes, si “një shërbëtor i shtetit”. Magjistrati Falcone, me përkushtimin e tij ndaj misionit të shenjtë të rivendosjes së drejtësisë në një tokë që lëngonte nga padrejtësitë ekonomike dhe shoqërore, të çlirimit prej prangave të nënshtrimit dhe nënçmimit nga kasta e bosëve të mafies, të rikthimit të ligjshmërisë dhe besimit tek institucionet, u bë simboli i njeriut që përfaqësonte shtetin, i pranisë së këtij të fundit në jetët e njerëzve të thjeshtë.
Ky libër vjen edhe në një kohë, ku Reforma në Drejtësi vazhdon dhe, siç thonë ata që besuan dhe investuan tek ajo, Shtetet e Bashkuara të Amerikës përmes ambasadores Kim, se Reforma vërtetë është e ngadaltë, e dhimbshme dhe e papërsosur, por po funksionon dhe ka nisur t’i japë rezultatet. Pas dënimit me 3 vite e katër muaj burgim të ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, të cilit iu dha nga trupa gjykuese e Apelit të Posaçëm të GJKKO-së kryesuar nga Pëllumbi, të tjerë zyrtarë e ish-zyrtarë të lidhur me korrupsionin, kanë pasur fat të ngjashëm.
Duke njohur Falcone-n, thotë Pëllumbi, mësova se të japësh drejtësi nuk është thjesht një profesion, është shumë më tepër sesa një mision, është vokacion. Sipas tij, i gjithë thelbi i raporteve ndërnjerëzore përmblidhet në konceptin e drejtësisë.
“Mendoj se është koha më e përshtatshme për ta sjellë librin”, thotë Pëllumbi, duke iu referuar procesit të Reformës në Drejtësi, ndërsa ai vetë e kaloi procesin e Vetingut me sukses më 2021-shin. “Mesazhe si ai i Falcone-s duhet të jepen edhe nga individë në Drejtësinë shqiptare nga gjyqtarë apo prokurorë, duke mos uruar fatin tragjik të tij, sigurisht”, përfundon Pëllumbi.