sh-kryeministri Sali Berisha duket se i trembet zhvillimeve që vijnë nga drejtësia e re. Aktualisht në tryezën e Strukturës së Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ndodhen dy dosje të bujshme dhe mjaft të “nxehta” për Berishën. Bëhet fjalë për dosjet e privatizimit të ish-kompleksit “Partizani” dhe ajo e “Gërdecit”, të cilat pritet t’i hanë kokën kreut të “Foltores”, familjarëve të tij, dhjetëra zyrtarëve dhe disa ish-ministrave. Burime të gazetës “Sot” bëjnë me dije se hetimet kanë nisur dhe shumë shpejt priten rezultate.
Dy dosje për Berishën në duart e SPAK
SPAK deklaroi pak javë më parë se këto dy dosje që prekin direkt Berishën dhe familjen e tij po të hetohen në të gjitha rrethanat. “Kemi çështje në hetim që lidhen me ngjarjen e Gërdecit, ku humbën jetën fatkeqësisht 26 njerëz. Kemi çështje që lidhen me lobingun e partive politike, të cilat po i hetojmë. Në lidhje me Gërdecin, hetimet janë komplekse. Ka vështirësitë e veta, është kohë e gjatë që ka kaluar, por do të sqarojmë të gjitha rrethanat çfarë ka ndodhur brenda mundësive që kemi. Ne po hetojmë ngjarjen. Ish Ministri i Mbrojtjes është me statusin e personit në hetim për shpërdorim detyre, sepse atë status ka pasur, por u pezullua për arsye të imunitetit, ndërkohë pjesën tjetër po e hetojmë dhe nëse do të ketë prova, patjetër që do të ketë dhe akuza për atë që do të provohet”, tha SPAK.
Afera e ish-klubit “Partizani” drejt finalizimit të hetimeve
Afera e grabitjes së terreneve të ish-klubit “Partizani” duket se po shkon drejt fundit të hetimeve. Pak javë më parë kanë dhënë shpjegime para prokurorëve të Strukturës së Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ish-ministrat e qeverisë “Berisha 2”, ndërkohë që të vetmit që nuk janë thirrur për të dëshmuar për këtë megagrabitje janë ish-kryeministri Sali Berisha dhe dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi.
Gazeta ka mësuar se në vijim Berisha dhe Malltezi pritet që të thirren për të dëshmuar në SPAK, lidhur me aferën e privatizimit të ish-kompleksit “Partizani”. Kjo lëvizje pritet që të prishë disi humorin e dyshes Malltezi-Berisha, për shkak se ata akuzohen nga mazhoranca se kanë tjetërsuar terrenet sportive në mënyrë korruptive. Nëse këto akuza rezultojnë të vërteta, atëherë Berisha dhe dhëndri i tij pritet të merren të pandehur nga SPAK.
Më herët, në ambientet e Prokurorisë së Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit është parë Fatmir Mediu, i cili është thirrur si person qe ka dijeni për rrethanat e hetimit për dosjen e kompleksit ‘Partizani’ dhe për rolin e tij si ministër i Mbrojtjes gjatë kohës së qeverisjes së Sali Berishës, kohë kur u privatizua edhe ish-kompleksi ‘Partizani’. Ndërkohë në një prononcim të shkurtër para gazetarëve, pas përfundimit të marrjes në pyetje, Mediu tha se është thirrur si deklarues për një hetim që është interes i SPAK, duke mos dhënë detaje për dëshminë e tij.
Rihapet Gërdeci
Pas 15 vitesh nga tragjedia e Gërdecit, mesa duket hetimi nga drejtësia e re e mbështetur fuqishëm nga amerikanët do të shkojë dhe tek familja kryeministrore që ka lidhje me këtë krim të rëndë ekonomik e njerëzor. Berisha, që në emër të qeverisë pranoi dhe firmosi hapjen e fabrikës së demontimit, por as djali i tij, i cili tashmë është konfirmuar edhe zyrtarisht e privatisht nga dëshmitë e shumë bashkëpunëtorëve të tij në këtë biznes si kontrollues dhe përfitues kryesor prej këtij biznesi vrasës, nuk janë thirrur e nuk janë detyruar të ulen në tavolinën e drejtësisë, as për t’u pyetur.
Pas shumë kohësh, Aldo Bumçi, ish-ministër drejtësie në qeverisjen e Sali Berishës gjatë kohës që shpërtheu Gërdeci është marrë në pyetje nga SPAK. Për më shumë se 1 orë, Bumçi ka dhënë sqarime pak ditë më parë mbi hetimet për tragjedinë, mes të cilave edhe për shkresën zyrtare të Ministrisë së Drejtësisë, në cep të së cilës shkruhej “për Shkëlzen Berishën”. Pas 15 vjetësh, Bumçi është kujtuar të tregojë se nuk e ka shkruar ai shkresën, por që kemi të bëjmë me një falsifikim.
Alarmohet Berisha
Rinisja e hetimeve me këto dy dosje përvëluese ka alarmuar Sali Berishën. Si asnjëherë më parë, ish-kryeministri ka sulmuar fort ditën e djeshme SPAK. “Por të thërrasësh Aldo Bumçin për një falsifikim të bërë, të faktuar që është falsifikim, vetëm se gjoja po heton Sali Berishën dhe djalin e tij. Ky është një turp kombëtar. Për atë falsifikim, Aldo Bumçi e ka çuar në prokurori.
Ai ishte një manipulim me urdhër për të implikuar mua dhe djalin tim. Dihet kush e ka bërë atë falsifikim, ka dëshmitarë kush e ka bërë. Bumçi e çoi në atë kohë në prokurori. Unë them jo, se e mora vesh kush ishte. Këta e marrin tani për së dyti. E kuptoni se me çfarë merret SPAK-u? Si me qenë repart i turpshëm i Edi Ramës dhe Taulant Ballës. Por ato janë paratë tuaja, janë paratë e taksapaguesve. Urdhëroni se me çfarë merren“, tha ai dje në një konferencë shtypi.
Reagimi i kreut të “Foltores” për ish-kompleksin “Partizani”
I pyetur se nëse rritja e dozave të akuzave është frikë e ish kryeministrit për çështje të nxehta që e implikojnë atë, qeverinë e drejtuar prej tij dhe familjarët si dosjet Gërdeci apo ish-kompleksi Partizani, Berisha i bën një sfidë të hapur drejtësisë duke thënë se mund të hetojnë 1000 herë dhe sërish nuk do të gjejnë shkelje. “Kam përkufizimin tim për SKAP por nuk më ke dëgjuar kurrë të qortoj për hetime, por nuk mund të mos e demaskoj kur merr një dekret të nën mbretit, e dorëzon për hetim, konstaton që asnjë nga ato emra që ndodhen në dekret s’duhet t’i përkasin zonës së klubit Partizani. Atij për korrektesë ligjore i takon të hapë çështje penale.
Le ta hetojnë 1000 herë kompleksin Partizani, kurrë nuk do të gjejnë shkeljen më të vogël ligjore. Po të kishin gjetur, unë jam në një hetim intensive ndërkombëtar por që fakt që tregon se akti ndaj meje është i turpshëm”, tha Berisha. Por një gjë është e sigurt, SPAK nën “patronazhin” e amerikanëve nuk ka ndërmend të tërhiqet nga asnjë presion dhe sulm nga pushtetarët e lartë të korruptuar./Nga Elmas Bogdani