Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, deklaroi gjatë një interviste të dhënë për emisionin “Kjo Javë” në News 24, se largimi i Ramës nga pushteti do të bëhet sipas ‘formulës’ së njëjtë që ndodhi dhe rrëzimi i Millosheviçit në Serbi.
Kreu i PL theksoi se ndryshimi do të vijë përmes binomit zgjedhje dhe protesta.
Pasi sipas tij Shqipëria drejtohet nga një bandë që nuk ka respekt për ligjet e vendit dhe qytetarët dhe se largimi i saj nuk mund të ndodh vetëm përmes votës, por nevojiten edhe protestat e fuqishme.
“Sot qeverisë në mënyrë arrogante një bandë që nuk ka respekt për ligjin, kushtetutën apo qytetarët. Dhe që e ka shndërruar opozitën në një armike pasi do të asgjësojë llogaridhënien, të kapin gjykatat dhe të jenë zotër të vendit.
Unë kam treguar si ka ikur Millosheviçi, u bënë zgjedhje, por u bënë dhe protesta për të ikur. Protesta dhe zgjedhje, kjo është një formulë e pashmangshme kur kemi të bëjmë me njerëz që kanë humbur çdo lloj përgjegjshmërie ndaj vendit, kombit dhe shtetit dhe kur janë në kushtet e pengmarrjes nga faktorë të brendshëm apo të jashtëm me qëllim dëmtimin e interesave kombëtare dhe që e kanë të pamundur një rotacion paqësor”, tha Meta.