Mendja ia thotë dhe qëllimi ia do, të bëjë katrahurë publike e të djeg shtetin për të marrë pushtetin, por tashmë i ka mbetur vetëm bulevardi, të cilin ia kanë lënë të lirë të dalë e sokëllijë sa herë të dojë, të qëndrojë sa ditë, javë e muaj të dojë, të shajë e mallkojë cilët të dojë, por ama deri te shkallët e kryeministrisë… sa të jetë gjallë
Pas disa muajsh, Sali Berisha futet në të 80-at, i mbetur pa asnjë pushtet, i goditur nga “non grata”, me disa dosje të rihapura nga SPAK e SHBA dhe çdo ditë, i ç’akorduar mendërisht nga urrejtja masive e shqiptarëve në rrjetet sociale, po përpiqet të rikthehet në fuqinë e para 2013-ës.
Kryeministria nuk i duhet për pasurim, por për të mbrojtur pasuritë e vjedhura. Pushteti nuk i duhet për të rrënuar Edi Ramën sepse e ka mik e ortak, por i duhet për të shpëtuar veten dhe të birin nga burgu.
Për të arritur këtë synim, Saliu ka menduar të përdorë bulevardin, të cilin kur i duhet për presion mbi drejtësinë dhe ndërkombëtarët, e servir si “revolucion shkatërrues”, ndërsa kur ftillohet dhe i kujtohet Drejtësia Amerikane e bën “revolucion paqësor”.
Mendja ia thotë dhe qëllimi ia do, të bëjë katrahurë e ta djeg shtetin për të marrë pushtetin, por në 4 protestat në bulevard pas shpalljes “non grata”, Sali Berisha nuk ka guxuar të urdhërojë dhunë, sepse e di që ka punë me ata matanë oqeanit.
Tashmë i ka mbetur vetëm bulevardi, të cilin ia kanë lënë të lirë të dalë e sokëllijë sa herë të dojë, të qëndrojë sa ditë, javë e muaj të dojë ulur në shesh, të shajë e mallkojë cilët të dojë, por ama deri te shkallët e kryeministrisë…
Brenda asaj godine nuk do futet sa të jetë gjallë, as si kryeministër e as si “gjeneral” i turmës së armatosur, sepse për shqiptarët, Sali Berisha i ka “larë duart” me shtetin e pushtetin, ndërsa me dhunë nuk e ka më “trimërinë”.
Të vetmen mundësi për të shfryrë inatin dhe perversitetin si telendar, plaku “non grata” e ka vetëm në bulevard përballë turmës që i shkon mbrapa, ku krekoset, pozon, betohet e kërcënon si “trim”, por qysh prej grushtit të 6 dhjetorit, del i rrethuar nga 30 roje.
Për shkak të pakësimit të turmës më 11 shkurt, plaku i Foltores ka filluar ta braktisë vetë bulevardin, duke filluar protestat te rrugica e parlamentit sa herë ka seancë, ndërsa më 3 mars do shkojë të ulërijë para kangjellave të Gjykatës së Apelit për vulën.
Për të mbajtur pas vetes mbështetësit që e besojnë akoma, Sali Berisha mund të dalë çdo ditë në bulevard e të bllokojë autobusët urban, apo të ri-fillojë Foltoren e grumbullimet nëpër qytete duke bllokuar ndonjë aks rrugor lokal e të kthehet të pushojë në Lalz.
Në vitin 2005, Saliu shkoi nga bulevardi në qeveri sepse bëri pazar me Fatos Nanon, ndërsa me këtë “revolucion” anti-SHBA-BE që ka nisur prej 2 vitesh pas shpalljes “non grata”, do mbetet në bulevard sa të jetë gjallë./Pamfleti