Deklarata e fundit e Sali Berishës për median greke, ku pretendon se Shqipëria nuk i plotëson kriteret për t’u anëtarësuar në BE, është një tjetër akt i papërgjegjshëm nga një politikan që e ka përdorur gjithmonë retorikën për interesat e tij personale.
Së pari, është hipokrite që Berisha të flasë për standarde europiane, kur gjatë qeverisjes së tij Shqipëria përjetoi korrupsion të thellë, kapje të institucioneve dhe ngjarje tragjike si Gërdeci dhe 21 Janari. A ka harruar Berisha se Shqipëria mbeti në vendnumëro për vite me radhë në procesin e integrimit pikërisht për shkak të politikave të tij të dështuara dhe bllokimit të reformave?
Së dyti, ky është një sabotim i drejtpërdrejtë ndaj interesave kombëtare. Shqiptarët kanë punuar fort për të çuar vendin përpara, dhe sot Shqipëria është në një fazë kyçe të negociatave me BE-në. Të dalësh në një media të huaj dhe të përbaltësh vendin tënd vetëm për t’i shërbyer axhendës tënde personale politike është një veprim i turpshëm dhe i dëmshëm. Çfarë mesazhi po dërgon ai te partnerët tanë europianë? Se shqiptarët nuk e meritojnë BE-në?!
Së treti, standardet e integrimit nuk janë një çështje që përcaktohet nga propaganda opozitare. Përparimi i Shqipërisë është vlerësuar nga institucionet europiane, jo nga një politikan i izoluar dhe i shpallur ‘non grata’ nga SHBA e Britania për korrupsion. Procesi i anëtarësimit është i bazuar në kritere objektive, të cilat Shqipëria ka përmbushur me sukses, duke nisur negociatat e anëtarësimit.
Prandaj, le t’i themi hapur Berishës dhe kujtdo tjetër që kërkon të njollosë përparimin e Shqipërisë për interesat e tij politike: Shqipëria nuk është peng i së shkuarës! Ne nuk do të lejojmë që loja politike e një individi të dëmtojë aspiratat europiane të një kombi të tërë. Shqipëria po ecën përpara, pavarësisht se disa duan ta kthejnë mbrapsht!