Prokurori Olsi Dado duket se ka luajtur edhe gurin e fundit që i kishte mbetur në seancën e sotme të Gjykatës së Posaçme të Apelit për të mbajtur në burg kryebashkiakun Erion Veliaj.
Burime brenda seancës (por, edhe ndonjë portal afër PD-së) shprehen se Dado ka përgjuar telefonin e burgut dhe pasi ka transkriptuar bisedat e Veliajt me familjarët e tij, i ka sjellë ato si “prova të reja” kundër kryebashkiakut.
Në këto biseda rezulton se Veliaj ka dakordësuar dy intervistat e realizuara me një emision në Top Channel dhe një tjetër emision në Report TV, të cilat janë kryer me letra me shkrim dore nga burgu. Pikërisht këto Dado i ka cilësuar si intimiduese.
Gjithashtu, Dado ka shprehur rezerva edhe për statuset e Veliajt në Facebook, duke u interesuar se si postohen ato, në një kohë kur vetë kryebashkiaku ka deklaruar publikisht se ai komunikon me pusulla, të cilat i shkruan me shkrim dore e që më pas hidhen në rrjete sociale.
Veliaj, më herët ka deklaruar se këto mënyra përgjimi apo hetimi me qëllim heqjen e fjalës dhe moskomunikimit me të afërm apo media të ndryshme, i takojnë epokës së regjimit komunist të Enver Hoxhës.