Pas shfaqjes së videos së LaCivitës që tallet me 6 milionë dollarët e Doktorit dhe që është duke kërkuar një punë tjetër, Muli u xhindos.
Thirri Lelon me urgjencë për t’i përcjellë zemërimin LaCivitës.
— Nuk di vetë anglisht, se e di unë ç’i kisha punuar atij barkderri, i tha Muli.
Thotë mirë Edi Rama, Latif!
— S’ka problem, i tha Lelo. Ja them unë.
Më thuaj çfarë t’i them.
— Së pari, i thuaj: haram lekët e demokratëve të varfër të PD-së, që kanë hequr bukën e gojës për ty.
— Këtë s’ja them dot, tha Lelo, se ai e di që ja ka dhënë lekët Nuredini nga Tropoja, që i është paraqitur si njeri i pavarur.
— Atëherë i thuaj: haram lekët e Sali Berishës, që ka një jetë të tërë në një shtëpi 100 metra katrorë dhe ka kursyer 6 milionë euro për ty.
— As këtë s’e themi dot, i tha Lelo, se kur e takuam me Zenin, ai i tha: “Unë t’i jap lekët cash këtu, se kam plot, po s’i çoj dot në SHBA.”
— Atëherë, thuaji: haram kënga që bëmë për ty!
Prej sot urdhëroj grupin e Lapardhasë në Berat të ndryshojë këngën që u bë virale në rrjet:
“Shkrepi dielli, shkrepi dita,
Seç na erdhi LaCivita.”
Prej nesër kënga do jetë:
“Erdhi nata, iku dita,
Na mashtroi LaCivita.
O Doktor, jemi zeher,
Na e futën si përherë.
LaCivita na gënjeu,
Trumpin dot nuk na e bleu.”
Do ta regjistroj dhe do t’ia dërgoj, i tha Muli.
Dhe i thuaj: po nuk na ktheu lekët, do ta transmetoj këngën.
— Ky është kërcënim serioz, tha Lelo. Besoj do reflektojë.