Është mbyllur orari zyrtar i votimit në të gjithë Shqipërinë për zgjedhjet parlamentare, të cilat do të caktojnë 140 deputetët e rinj dhe qeverinë që do të drejtojë vendin në 4 vitet e ardhshme. Ashtu siç është vepruar edhe në zgjedhjet e mëparshme, votimi do të vijojë vetëm me personat që janë në radhë.
Mbi 3.7 milionë qytetarë shqiptarë kishin të drejtë vote këtë të diel, dhe sipas rezultateve në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve pjesëmarrja në votime deri në orën 18:00 i kaloi 41%. Risi e këtyre zgjedhjeve ishte vota e diasporës.
Qytetarët zgjodhën mes 3 koalicioneve dhe 8 subjekteve zgjedhore, teksa tashmë e gjithë vëmendja është drejtuar tek procesi i numërimit.
Në të gjithë vendin ishin të shpërndara 5225 qendra votimi, ndërsa puna për numërimin e votave do të zhvillohet në 93 KZAZ.
Procesi zgjedhor u zhvillua në tërësi i qetë, por incidentet e vogla nuk munguan në shumë zona, ku pati përplasje mes komisionerëve, disa raste fotografimi të votës apo dhe vonesa në nisjen e votimit.
Incidenti më i rëndë mund të konsiderohet ai në KZAZ e Vorës ku u përfshi në një përplasje verbale sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka dhe dy shtetas, të cilët u proceduan penalisht nga autoritet.
Policia e Shtetit kishte organizuar një plan masash për mbarëvajtjen e zgjedhjeve me mbi 5000 efektivë të shpërndarë në të gjithë vendet ku votohej dhe administrohej vota.
Në këto zgjedhje parlamentare kryeministri Rama kërkon një mandat të katërt, teksa Sali Berisha synon rikthimin në pushtet pas 12 vitesh.