Një nga mbështetësit më të mëdhenj të Partisë Demokratike, sidomos i Sali Berishës, një nga personazhet më karizmatikë të rrjeteve sociale, Ilir Vrenozi, foli për Top News.
Shumë i lakuar dhe i bërë viral në këtë fushatë, ka elektrizuar sallën e Korçës në mitingun e PD, madje duke marrë një ftesë për kafe dhe nga kryeministri Edi Rama.
Do e pranosh ftesën për kafe nga kryeministri Rama?
“Ti e di që unë jam burrë dinjitoz dhe pavarësisht duket që ky po fiton, nuk bëhet fjalë që të ulem me të. Por e kam më shumë me këta të mijtë. Se kam folur dhe kam bërë thirrje në rrjete sociale, kam thënë mos hyni në garë me Ramën se nuk e mundim dot. U kam thënë hyni në grevë urie. Jo më tha një deputet se ky është i çmendur, të lë të vdesësh.
Këta që janë deputetë, rrinë aty, marrin atë rrogën, biznese kanë, makina kanë. Këto 2 muaj i ndërpreva thirrjet, por duhet bërë diçka se ne po rrimë në vend numëro. Kam thënë që po na mundi mos thoni që na vodhi se është turp. Se kur s`je i aftë të mbrosh votën tënde, çe do. Flas për demokratët që kanë dhënë shpirtin. Kush mban përgjegjësi për ta?
Politikanët u kujtuan për ju vetëm në kulmin e fushatës?
Po mirë se s`ka gjë, se nuk është puna vetëm me mua. Ky ka vendosur diktaturë dhe komunistët nuk e lëshojnë më kurrë, këtë e kuptojnë të gjithë. Me votë nuk ikën ky pushtet. Por unë dua t`i them të parit, doktor Berishës, pastro shtëpinë se nuk vazhdohet kështu. Ndërsa për Ramën mesazhi që kam nuk e them dot se është me pullë të kuqe.