Tashmë që janë numëruar gati 95 për qind e kutive, rezultati i zgjedhjeve është i qartë si kristali dhe nuk lë vend për asnjë interpretim. Shqiptarët kanë votuar për të ndryshuar opozitën.
Në vitin 2021, koalicioni i Partisë Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim morën së bashku 730 mijë vota. Në vitin 2025, koalicioni i Partisë Demokratike, bashkë me pasaardhësen e LSI-së brenda, projektohet se do të marrin gjithsej rreth 480 mijë vota brenda vendit dhe afro 535 mijë vota duke përfshirë edhe ato të diasporës.
Pra, opozita ka marrë në këto zgjedhje 250 mijë vota rrumbullak më pak brenda vendit se sa katër vite më parë, kur drejtohej nga Lulëzim Basha dhe Monika Kryemadhi. Madje edhe nëse përfshihet vota e diasporës sërish opozita do jetë 200 mijë vota më pak se sa në vitin 2021. Kjo është një tkurrje asgjësuese.
Në krahun tjetër të spektrit politik, kështjella e Edi Ramës vetëm fortifikohet. Projeksionet e votës brenda vendit me 95 për qind të kutive të numëruara, tregojnë se Partia Socialiste do të shkojë rreth 725 mijë vota në total. Kjo është rreth 40 mijë vota më pak se në vitin 2021.
Por nëse përfshihet dhe vota e diasporës, Partia Socialiste dhe Edi Rama mund të shkojnë në total në rendin e 830 mijë votave.
Me pak fjalë, shqiptarët mendojnë se opozita ka qeverisur keq, siç shkruan shpesh me ironi Lutfi Dervishi. Ose më saktë, opozita është qeverisur keq.
Një opozitë që ndrydhet në këto ritme dramatike, e ka të detyrueshme të dëgjojë zërin e qytetarëve. Opozita duhet të ndryshojë.
Dhe ndryshimin e saj duhet ta bazojë sërish tek zëri i qytetarëve. Votat nominale janë aty. Bashkë me to edhe emrat që ngjallin besimin e elektoratit.
Me sa duket, shqiptarët mendojnë se Ilir Alihmehmeti, Jorida Tabaku në Tiranë dhe Fisnik Qosja në Kavajë duhet të jenë e ardhmja e opozitës shqiptare. Përndryshe opozita nuk do të jetë më Partia Demokratike. Por Toma. Dhe pastaj PD nuk do i duhet më askujt. As vetë Doktorit.
Ndoshta Edi Rama mund t’i fitojë zgjedhjet sërish edhe nëse do të ketë përballë një tjetër doktor nga ai që ka patur tashmë prej dy dekadash. Por kështu të paktën nuk do të ishte më faji i opozitës.
Dhe Partia Demokratike do të shpëtonte nga preteksi i përjetshëm acarues i armatës së grive, indiferentëve, të shiturve, të blerëve, larushëve atyre pa parti apo dhe të djathtëve, që thonë se nuk e votojnë Sali Berishën dhe Flamur Nokën.
Të paktën, kjo do të rrëzonte edhe alibinë publike të sulltanatit të Edi Ramës. (Kapitali.al)