Tashmë që numërimi i votave brenda vendit ka përfunduar, po vijohet me numërimin e votave të diasporës dhe votat preferenciale të kandidatëve në listën e hapur. PS ka marrë 83 mandate, ndërsa PD ka zbritur në 50 mandate, një rënie drastike krahasuar me 63 mandatet që PD dhe aleatët kishin në 2021.
Nga 83 deputetët që pritet të dërgojë në Kuvendin e ardhshëm, Partia Socialiste do të ketë plot 37 të zgjedhur me votë preferenciale, përveç 46 të zgjedhurve nga lista e mbyllur. Koalicioni opozitar Partia Demokratike-Aleanca për Shqipërinë Madhështore dërgon vetëm 7 të zgjedhur me votë nga 50 deputetët që ka gjithsej. Mes këtyre të shtatë nga PD fiton edhe Gjin Gjoni në Lezhë apo Arjan Ndoja në Durrës, të dy të akuzuar për lidhje të dyshimta me krimin.
Gjithsej të zgjedhur me votë preferenciale nga populli futen 45 deputetë, nëse i shton edhe mandatin e Nisma Shqipëria Bëhet që ka thënë se do ta djegë listën e mbyllur. Shumë deputetë aktualë socialistë mbeten jashtë, mes të cilëve senatorë të rëndësishëm si Pandeli Majko, Xhemal Qefalia, Klotilda Bushka, Olta Xhaçka, Mimi Kodheli, Ermonela Felaj, Toni Gogu etj.
Nga PS, në qarkun e Tiranës dalin 7 deputetët më të votuar, 5 burra dhe 2 gra. Karrige në Kuvend sigurojnë 5 kandidatët burra më të votuar, duke nisur nga Blendi Gonxhja me mbi 14 mijë vota (në 679 kuti të referuara deri tani nga KQZ), ministri Ervin Hoxha me rreth 11 mijë vota, Erion Braçe me rreth 9200 vota, Fatmir Xhafaj me 7300 vota, Ornaldo Rakipi me 5323 vota. Ndërkohë, nga lufta mes grave, Anila Denaj me 3620 vota dhe Kejsi Elezi që ka rikuperuar së fundmi me 3489 vota, kanë më shumë shanse për t’u futur në Kuvend.
Sa i takon koalicionit të Sali Berishës, i cili deri më tani ka vetëm 13 mandate, sipas llogarive i bie që nga lista e hapur e Tiranës të futet në Kuvend vetëm kandidati që ka marrë më shumë vota dhe ai deri më tani është deputetja Jorida Tabaku me 9690 vota, duke lënë pas dhe duke i marrë vendin mjekut Ilir Alimehmeti me 9150 vota.
Votat preferenciale mund të lëvizin, pasi ende po numërohen, teksa jashtë rrezikon të mbetet edhe Ilir Meta me vetëm 3785 vota, i cili garon nga qelia, duke rikuperuar vendin e tretë në listë pas Tabakut dhe Alimehmetit.
Në rastin më të keq, edhe nëse dy kandidatët e PL në listën e sigurt, Tedi Blushi ose Erisa Xhixho do digjnin mandatin e tyre për ta sakrifikuar për Ilir Metën, sërish ky i fundit nuk do të futej në Kuvend, pasi do duhet të jetë i pari më i votuari në këtë qark që të fitojë mandatin.
PS në qarqet e tjera
Në Shkodër kryeson Edona Bilali me 8815 vota, në Lezhë Admir Kadeli ka rimarrë vendin e parë me 5417 vota (i ndihmuar nga diaspora), teksa e ndjek Pranvera Skana me 5376 vota, në Kukës Alban Zeneli me 4207, në Korçë Ilirian Pendavinji me 10133 vota, Tërmet Peçi me 9468 vota në Gjirokastër, Klevis Jahaj në Fier me 11786 vota, Sara Mila në Elbasan me 18592 vota, duke u bërë edhe kandidatja më e votuar në këto zgjedhje deri tani. Arkend Balla me 15751 në Durrës, Agron Malaj në Dibër me 12612 vota dhe Hysen Buzali në Berat me 8209 vota. Në Vlorë më i votuari nga PS është Damian Gjiknuri me 10 031 vota, i ndjekur nga Vullnet Sinaj me 8757 vota dhe Ardit Bido me 7360 vota.
PD dhe aleatët në qarqet e tjera
Ndërkohë sa i takon PD dhe aleatëve, në Vlorë më i votuari rezulon Petraq Gjikuria me 3533 vota, në Shkodër Bardh Spahia me 9414 vota, në Lezhë me i votuari rezulton ish-gjyqtari sheik Gjin Gjoni me 8441 vota, në Kukës Shkëlqim Shehu me 7493 vota, në Korçë Fidel Kreka me 6523, në Gjirokastër Alma Kore me 3569 vota, në Fier Gentian Çela me 6970 vota, në Elbasan Qani Xhafa me 5927 vota. Ndërkohë në Durrës me i votuari rezulton ish-prokurori Arjan Ndoj me 7481 vota, në Dibër Xhemal Gjunkshi me 5693 vota dhe në Berat Parid Mahmutaj me 7171 vota.
Fillimisht në Kuvend futen kandidatët e listës mbyllur, sipas radhës që ka përcaktuar partia, dhe lista e hapur, dërgon deputetë në Kuvend nëse partia fiton më shumë karrige se sa emrat që ka në listën e mbyllur. Renditja në listë të hapur bëhet pa asnjë prag, kush ka marrë një votë më shumë, por 1 në 3 emra, do të jetë femër, edhe nëse zonjat nuk janë votuar sa duhet.