Nga Elmas Bogdani
Pas 35 vitesh në politikë dhe shumë çështjeve penale të hapura ose jo, ish-Presidenti, ish Kryeministri dhe kreu i opozitës Sali Berisha do të dalë para një trupe gjykues në përballjen e parë të vërtetë me drejtësinë. Nën akuzë për korrupsion, Sali Berisha do të përgjigjet për aferën e privatizimit të klubit Partizani, për të cilën SPAK thotë se ai shfrytëzoi pushtetin që i jepte pozicioni i Kryeministrit për të pasuruar familjen e tij, përmes dhëndrit Jamarbër Malltezi.
Ky i fundit do të përballet me drejtësinë për korrupsion pasiv dhe pastrim parash. Mësohet se SPAK do të kërkojë të pyeten 137 dëshmitarë dhe 5 të pandehurit e procedimit. Procesi gjyqësor do të jetë përballë një trupe gjykuese me tre anëtarë, e cila do të zgjidhet me short. Pritet një gjyq i gjatë, me dëshmitarë dhe paraqitje provash, pasi asnjë prej të pandehurve nuk ka kërkuar gjykim të shkurtuar.
Gjyqi do të zgjasë
Marrë shkas nga kjo dhe bazuar njohurive juridike, avokatja Enida Bozheku tha se gjyqi për kreun e PD do të zgjasë jashtëzakonisht shumë. Ajo paralajmëroi se do të ketë shumë prova dhe shtyrje që do e bëjnë procesin e gjykimit të zgjasë minimumi 4 vjet. “Elementet dhe prova që ka, sepse prova vërtetohet vetëm në gjykim, ka fakte që për prokurorinë janë të mjaftueshme për ta dënuar. Për prokurorinë është gjithmonë dënimi, shumë rrallë pafajësia për ndonjë prokuror vërtet ekselent mund të kuptojë që ka edhe pafajësi.
Dhe në përfundim të seancës paraprake, sepse aktualisht kjo quhet si një seancë paraprake, si një seancë filtër dua të nënvizoj është që nuk shqyrtohet asnjë gjë që lidhet, as me ato janë elementet nga prokuroria të mbledhura deri atyre që të thuhet qëndron apo nuk qëndron apo jo ajo akuzë.
Prokurorisë nuk i hyn fare gjykata jonë, gjykatësi i seancës paraprake nuk e merr përsipër këtë barrë përgjegjësie dhe ia kalon treshes për gjykim. Këtu fillon procesi penal i mirëfilltë. Nuk e di ekzaktësisht nëse Berisha ka kërkuar gjykim të shkurtuar apo jo? Mesa di deri më tani nuk ka kërkuar. Megjithatë gjyqi për zotin Berisha do të jetë një gjyq i gjatë, padyshim do të jetë shumë i gjatë, iu garantoj për këtë.
Mund të zgjasë tre deri në katër vjet minimumi. Sepse do të luhet shumë me afatet, me shtyrjen, ka shumë shumë prova. Tani flasim që jemi në kuadër të provës në gjykim dhe do të jetë një gjyq shumë i lodhshëm dhe në fund të shohim se si do të shkojë”, tha Enida Bozheku.
Emrat e tjerë të përfshirë
Me Berishën dhe Malltezin të pandehur janë edhe bashkëpunëtorët e tyre, biznesmeni Fatmir Bektashi, i akuzuar “korrupsion aktiv” dhe “pastrim parash”. Akuza e “pastrimit të parave” i është komunikuar edhe ortakut të Malltezit, Xhimi Begeja, trashëgimtar i tokës dhe bashkëpronar i ‘Homeplan’, si dhe Andia Pustinës, financieres që kryente të gjitha operacionet financiare dhe ligjore të Homeplan. Në gjyq janë çuar edhe kompanitë “Kontakt”, “Homeplan” dhe “Studio Pustina”, të tria për pastrim parash.
Vendimi për dërgimin e kryetarit të PD Sali Berisha në gjyq, u mbajt peng prej 7 muajsh, me manovra të ndryshme zvarritjeje dhe verdikti për ta ulur atë në bankën e të akuzuarve erdhi vetëm 1 javë pas zgjedhjeve parlamentare të 11 majit, ku Berisha pësoi një humbje të thellë. Prokuroria e Posaçme dyshon se Berisha ka favorizuar dhëndrin e tij, si një nga ish pronarët e truallit të ish kompleksit sportiv Partizani, ku u ndërtuan më pas një grup pallatesh.
Prokuroria e Posaçme dyshon se Berisha ka shfrytëzuar postin e tij të kryeministrit, duke miratuar ligje dhe akte të ndryshme nënligjore të përshtatura me nevojat e ish pronarëve të truallit të ish kompleksit Partizani për të mundësuar privatizimin. Po ashtu dyshohet se ai ka ushtruar presion, përmes kontrolleve administrative, ndaj strukturave shtetërore, në mënyrë që ata të përshpejtonin procedurat e privatizimit, si dhe i ka vënë këto struktura në dispozicion të dhëndrit Jamarbër Malltezi për të arritur privatizimin, i cili sipas SPAK përfitoi 5.4 mln euro.
Paralelisht SPAK ka vënë në sekuestro preventive pasuri të shumta që i përkasin Jamarbër dhe Argita Malltezit, sekuestro e konfirmuar deri në Gjykatë Kushtetuese, ku përfshihen dhjetëra apartamente, vila, troje dhe llogari bankare, të cilat do të qëndrojnë të sekuestruara deri në përfundim të gjykimit. Ndërkohë një tjetër hetim vazhdon me fraksion të kësaj dosjeje për pasurinë e ish-kryeministrit dhe verifikime nëse familjarët e tij kanë përfituar nga vendimet e tij si me rastin marrjes së truallit të Kompleksit Partizani dhe ndërtimin e 19 kullave nga dhëndri i tij.
Dosja e aferës Partizani mori formë më 21 tetor 2023 kur u arrestuar Jamarbër Malltezi sapo kishte zbritur në Rinas pasi GJKKO kishte firmosur masën e sigurisë ‘arrest me burg’ ndërsa për Sali Berishën ishte caktuar ‘detyrim me paraqitje’ në prokurori. Për shkak të refuzimit të Berishës për të zbatuar vendimin e gjykatës, SPAK i kërkoi leje Kuvendit për arrestimin dhe më 30 dhjetorit 2023 GJKKO rëndoi masën e sigurisë duke e vënë në ‘arrest shtëpie”, ku qëndroi 333 ditë deri sa u ndryshua masa dhe iu rikthyer detyrimi i paraqitjes. Ndërsa për Malltezin nga 21 nëntori 2023, Apeli i GJKKO-së zbuti masën e sigurisë për të duke e lënë në ‘arrest shtëpie”, ku ndodhet prej 17 muajsh.