Zyra e Kontrollit të Pasurive të Huaja e Departamentit të Thesarit të SHBA ka fshirë sot nga faqja e saj zyrtare emrat e dy personave të sanksionuar si “non grata”: bëhet fjalë për Milan Milutinoviç, ish-presidentin e Serbisë, i cili ka vdekur më 2 korrik 2023, si dhe Bogdan Subotiç, një serb i Bosnjës që ka ndërruar jetë në vitin 2022.
Duke diskutuar me Lelon për këtë lajm, Muli dukej optimist edhe për Doktorin.
– Nuk kanë qenë “non grata” nga Departamenti i Shtetit, i tha Lelo, por nga Thesari.
Kanë qenë si Ylli Ndroqi dhe Toma.
– Po ça rëndësi ka, tha Muli, rëndësi ka që ua fshinë.
– Problemi është se ua fshinë pas vdekjes, tha Lelo.
Pas vdekjes edhe bankat ta fshijnë emrin, nuk ka më rëndësi.
Kjo nuk duhet të bëhet publike se e pezmaton shumë Doktorin.
– E ke gabim, tha Muli.
Doktori e ka këtë betejë për historinë.
Po ta dijë që ja heqin pas vdekjes, ai vdes i qetë, se e kanë turpëruar.
Do mbetet në histori me akuza për korrupsion dhe për minimin e demokracisë.
Po na garantoi LaCivita që ja heqin dhe pas vdekjes, është një lloj fitore.
– LaCivita na garantoj edhe zgjedhjet, tha Lelo, por tani po na këshillon si të përballojmë humbjen.
– E di, tha Muli, por për Doktorin është e rëndësishme që të ketë një shpresë edhe pas vdekjes, ndryshe nuk do ta tretë varri.
Se ka shumë rëndësi kur vdes, çfarë do thonë njerëzit.
Të paktën të kenë të gjithë një shpresë që beteja vazhdon.