Prokuroria e Posaçme (SPAK) po kryen veprimet e fundit hetimore dhe procedurale në funksion të finalizimit të një prej operacioneve më të mëdha për goditjen e kontrabandës së naftës.
Megaoperacioni është produkt i një hetimi të gjatë dhe kompleks, i cili mësohet se ka ekspozuar disa biznesmenë, zyrtarë të doganave, tatimeve, portit dhe policisë në kontrabandën disavjeçare të naftës, duke i shkaktuar shtetit shqiptar dhjetëra milionë euro dëm ekonomik.
Sipas burimeve, hetimet kanë nisur pas sinjalizimeve nga strukturat partnere të zbatimit të ligjit dhe se skema e grupit kriminal është çmontuar në bashkëpunim me agjencitë e huaja të zbatimit të ligjit.
Bashkëpunimi ndërkombëtar besohet se ka shpëtuar hetimin edhe nga ndërhyrjet korruptuese të kokave të kontrabandës së naftës. Në dijeni të disa veprimeve hetimore të BKH-së dhe personave të pyetur nga SPAK, disa zyrtarë të godinave, tatimeve dhe Portit të Durrësit ia kanë mbathur nga Shqipëria, për t’i shpëtuar arrestimit dhe qelisë për disa vite. Sipas burimeve, disa nga të implikuarit janë larguar në vende të ndryshme, ndërsa të tjerë po qëndrojnë vigjilentë për t’u fshehur në momentin e firmosjes së urdhër-arresteve nga GJKKO. Sipas burimeve, pjesë e grupit kriminal janë edhe disa deputetë, ish deputetë, drejtorë të rëndësishëm, zyrtarë të nivele të ndryshme dhe biznesmenë.
ProfitSence Logo
Të ardhurat e përfituara nga kontrabanda disavjeçare e naftës besohet se i kanë investuar në pasuri të paluajtshme. Prokuroria e Tiranës dhe e Durrësit ka goditur herë pas here episode të kontrabandës së naftës, por protagonistët i kanë shpëtuar gjithnjë ndëshkimit rrugës, duke blerë njerëzit e drejtësisë, duke sabotuar dhe devijuar hetimet, përçudnuar gjyqet dhe bërë kurban ‘peshqit e vegjël’.
Fatjon Shehu
Në qendër të këtij rrjeti që po heton SPAK-u ndodhet edhe drejtori i Anti-Kontrabandës në Doganat Shqiptare, Fatjon Shehu, i cili dyshohet të ketë pasur rol kyç në mbrojtjen dhe koordinimin e aktiviteteve të paligjshme. Burime nga hetimi bëjnë me dije se nën mbikëqyrjen e Shehut janë lejuar të hyjnë në vend, përmes pikave doganore strategjike si Kakavija, Morina dhe Durrësi, ngarkesa të mëdha me cigare, naftë, ilaçe dhe veshje, pa iu nënshtruar kontrollit ligjor.
Në të njëjtën kohë, nën drejtimin e Shehut, janë ndërmarrë goditje selektive dhe abuzive ndaj bizneseve të ndershme sidomos importuesve nga Turqia të cilët janë penalizuar në mënyrë të padrejtë, ndaluar pa arsye dhe detyruar të ndërpresin aktivitetin ekonomik. Sipas denoncimeve të grumbulluara, qindra sipërmarrës janë përballur me presion burokratik, zvarritje të qëllimshme dhe kthime arbitrare të mallrave.
Ndërkohë, kompani të lidhura me segmente të pushtetit kanë hyrje të garantuar në treg, pa asnjë pengesë, duke përfituar akses ekskluziv në një sistem që është shndërruar në mjet shantazhi dhe kontrolli ekonomik. Fatjon Shehu dyshohet gjithashtu se ka ushtruar presion ndaj vartësve për të zbatuar urdhra të paligjshëm dhe për të fabrikuar të dhëna që godasin operatorët e pavarur. Sipas SPAK, kjo skemë nuk është vetëm një aferë ekonomike, por një goditje e drejtpërdrejtë ndaj rendit ligjor, tregut të lirë dhe vetë shtetit, i cili prej vitesh përdoret si mburojë për interesa të errëta klienteliste.
Kujtojmë se Fatjon Shehu është nipi i ish bosit të madh të trafikut të heroinës, Behar Sofia, i ekzekutuar në 25 shkurt 2021, pranë ETC-së në Tiranë. Sofia, i skeduar për trafik droge prej 25 vitesh, besohet se kishte lidhje të forta me turkun Abduselam Turgut, i arrestuar disa vite më parë në Shqipëri.
Nipit të tij i është besuar pikërisht Drejtoria Anti-Kontrabandës në Dogana. Gazeta “Sot” ka raportuar në artikujt e mëparshëm se Fatjon Shehu në krye të Anti-kontrabandës besohet se është investim i një personazhi që është shpallur non grata nga SHBA-të, ashtu siç është Alban Dushku dora e këtij personazhi në krye të Doganës së Morinës.