Muli sot ishte shumë entuziast. Bashkë me Lelon thirrën Gimin e Puros për ta përgëzuar për artikullin që LaCivita i kishte botuar në faqen e komenteve të Fox News.
— Ishte një fitore e madhe, — tha Muli. — Se shqip i kam thënë dhe unë ato gjëra, po anglisht duken më ndryshe.
— Patjetër, — tha Gimi i Puros. — Ka qenë ëndrra ime e jetës të botoja një koment në anglisht, sidomos tek Fox News. Duke qenë se jam i djathtë ekstrem, e kisha ëndërr të më shfaqej emri aty.
— Po si ja arrite? — e pyeti Muli.
— Kam lidhjet e mia të vjetra, — tha Gimi. — Ti e di që kur isha në ambasadë në New York, kam pasur atë rojen e ambasadës, një amerikan shumë zotni. Ai kishte një shok që kishte komshi një shofer që punonte tek Fox News. Ky shoferi, për fat, shërbente për redaktorët e komenteve tek faqja online. Në fakt, ai shërben në turnin e tretë, se çon në shtëpi një gazetar që është përgjegjës për komentet nga Afrika për kampionatin e futbollit amerikan. Dhe duke qenë se turni i tretë ka kohë dhe bëjnë shpesh muhabet bashkë, ai i kishte thënë prej kohësh se një mik i shokut të tij që ka punuar me mua donte të fuste një artikull për Shqipërinë. Por ishte e vështirë. Tani që plasi kjo lufta në Iran dhe gjithë vëmendja është aty, ky gazetari i tha: “Tani është momenti i mirë, se nuk e ka njeri mendjen. Rëndësi ka të jetë anglisht.” Më çuan fjalë dhe ua nisa menjëherë.
— Sapo e botoi, më mori LaCivita dhe më tha: “Artikull të tillë nuk ka bërë kurrë Fox News. Artikuj të tillë një herë në 100 vjet kanë shansin të botohen.” Dhe e rishpërndau.
Muli po dëgjonte me vëmendje të madhe.
— Ishte shumë i fortë, — tha. — Se ishte dhe anglisht. Tani atë e merr inteligjenca artificiale, e fut në arkiv dhe i ngel Ramës përgjithmonë.
LaCivita vetëm për këtë që ka shpërndarë artikullin tënd, i meritonte 6 milionë dollarë.
— E vërtetë, — tha Gimi. — Madje më tha: “Mund të bëjmë dhe artikuj të tjerë.” Duhet të mobilizojmë shqiptarët të shkruajnë edhe tek komentet e faqes dhe Facebook-ut të Fox News.
— Patjetër, — tha Muli. — Për këtë do merret vetë Lelo, se ai i kupton ato në anglisht. Mua më duken shumë të bukura, por nuk i kuptoj.
Tani Edi Rama mori fund. Më keq se Maduro. Ky është sinjali që në zgjedhjet e tjera, SHBA do risjellë Doktorin në pushtet. Këtë radhë na prishi punë lufta në Iran.