Në një periudhë kur Shqipëria përballej me një tranzicion të vështirë dhe të pasigurt, emri i Sali Berishës u shndërrua në simbolin e një prej kapitujve më të errët dhe më tragjikë të historisë sonë moderne. Analiza e detajuar e Kastriot Aliajt për gazetën “SOT” shpalos një dosje tronditëse, që shkon përtej narrativave të njohura, duke zbardhur të vërteta të errëta që rrënojnë imazhin e një ish-presidenti, i cili u bë arkitekti monstruoz i firmave piramidale që fundosën ekonominë dhe shoqërinë shqiptare.
Ai zbardh prova kyçe që tregojnë se si firmat piramidale të themeluara nën mbështetjen e Berishës, si “Sude” dhe “Gjallica”, jo vetëm që shkatërruan financat e mijëra familjeve shqiptare, por u shndërruan në mjet kontrolli politik dhe ekonomik. Analisti shpjegon edhe lidhjet familjare, veçanërisht përfshirjen e motrës së Liri Berishës në këto skema, dhe veprimet që çuan në një krizë të thellë sociale, duke përfshirë urdhrin për përdorimin e avionëve ushtarakë për të shtypur protestat në jug. Një pjesë e madhe e parave u transportua jashtë vendit, duke thelluar akoma më shumë dëmin ekonomik.
Ja detajet e forta që zbulon për gazetë “SOT” Kastriot Aliaj
“Paratë e shqiptarëve janë të pastra,” do të deklaronte me papërgjegjshmëri ish-presidenti Sali Berisha në TV Vefa, pas urdhërit që mori nga FMN dhe BB në vitin 1996, për mbylljen e firmave piramidale. Ai nuk e përfilli këtë urdhër, sepse nuk mund të çlirohej nga pushteti kleptokratik dhe autoritarizmi, që sundonte si ideologji e legjitimuar gjatë viteve si president dhe kryetar i PD. Ai e ktheu këtë profeci në monopol të pa korrigjueshëm, gjë që po e demonstrojnë edhe sot, brenda strukturave të PD si dhe në marrëdhëniet me kundërshtarët. Efektet dhe pasojat e firmave piramidale ishin katastrofike, aq sa ato gjunjëzuan shtetin shqiptar fizikisht, moralisht dhe financiarisht. Në retrospektivën e analizave të tyre, numëroheshin mbi 3000 të vdekur, 3500 shtëpi të humbura, ku 260 mijë familje, e barabartë me 1.8 milion shqiptarë, humbën 1.3 miliard euro, një bilanc tragjik që në vitet e para të tranzicionit. Por serialin e mashtrimeve në Shqipëri e filloi kosovari Sejdin Avdia, ish-këshilltari ekonomik i qeverisë Nano, i cili kërkonte të ndërtonte një hotel në qendër të Tiranës, por, ngaqë nuk mundi, rrëmbeu një shumë të madhe parash, pa mundur të ndërtojë asgjë, duke lënë një gropë pranë Pallatit të Kulturës. Pas këtij mashtruesi filluan të mbijnë si kërpudhat pas shiut firmat rentiere të arkitektit Sali Berisha, ku më 1993 u krijua firma e parë ”Sude”, që po mblidhnin paratë e shqiptarëve, duke u bërë shkaktarë të tragjedisë financiare. Këto skema nuk po ndodhnin për herë të parë në Shqipëri, sepse edhe në SHBA ekzistonte një skemë e njohur si ”Madoff” e cila kishte grumbulluar 40 miliard USD.
Kjo tragjedi kishte ndodhur edhe në Maqedoni, pas shpërbërjes së ish-Jugosllavisë, por shteti maqedon mori masa duke zbatuar urdhrat e FMN dhe BB për mbylljen e këtyre skemave me pasoja për qytetarët dhe ekonominë e vendit. Shqiptarët e mbetur pa punë morën arratinë, si rezultat i mbylljes së 600 ndërmarrjeve ekonomike, por për të kapur kohën e humbur të sapodalë nga ekonomia e centralizuar, ranë brenda në firmat piramidale si mizat në qyp. Skemat piramidale në Shqipëri kanë qenë skema Ponzi që degraduan rebelimin e vitit 1997. Ky vit i zi tragjik për shqiptarët erdhi si pasojë e falimentimit të 25 firmave rentiere, që u ngritën dhe operuan nën pushtetin e PD, ku qeveria e saj dhe ish-presidenti Berisha ishin vënë në dijeni edhe nga guvernatori i Bankës Kristaq Luniku për gjithçka që po ndodhte me firmat rentiere pa licensa. Ato sipas guvernatorit kishin shkaktuar kaos financiar, në mashtrimin e popullit me fajdet, duke vepruar si organizatë mafioze. Ai i kujtoi qeverisë se shteti ka detyrim moral në marrëdhënie me qytetarin, duke bërë ligje me kërkesa e procedura normale për futjen e tyre në sistemin bankar.
Paralajmërimet
Guvernatori Luniku i kujtoi qeveritarëve të Sali Berishës se Banka e Shqipërisë ishte i vetmi organizëm që mund të ushtronte funksionin financiar sipas ligjeve në Shqipëri. Prandaj kërkonte legalizmin e aktivitetit të tyre, sepse ato me mënyrat mafioze nuk plotësonin kushtet për një aktivitet privat financiar. Por çdo njoftim dhe kërkesë e tij binte në vesh të shurdhët, ngaqë firmat rentiere vazhduan veprimtarinë kriminale deri në janar të vitit 1997. Ato i kishin kaluar edhe kufijtë, duke hapur aktivitet jashtë për pastrimin e parave të krimit, siç vepronte firma rentiere Vefa në Greqi. Aventurizmi i kësaj firme shkonte edhe më tej, duke reklamuar në Monza të Italisë aktivitetin e garave me makina të Formula 1. Ndërsa në Lushnje do të vinte futbollisti i Argjentinës Mario Kempes, për të treguar se sa të fuqishme ishin këto firma financiarisht, duke gllabëruar paratë e shqiptarëve. Daljet e tyre në publik, me premtime qesharake marramendëse si Xhaferri, i cili thoshte: ”Kur të shterrojnë oqeanet do të mbarojnë paratë e mia.”
Të gjitha këto marrëzi po ndodhnin përpara syve të Sali Berishës, i cili i informuar për shkelje të rënda të marrëdhënieve financiare, nuk veproi kurrë për ndalimin e aktivitetit të tyre. Po si do t’i mbyllte Saliu firmat piramidale, kur ai vetë ishte krijuesi i firmës Gjallica me Shemsie Kadrinë në Vlorë, shoqe e ngushtë e motrës së Liri Berishës? Kur ngjarjet po precipitonin për një shpërthim katastrofik, Saliu në janar të vitit 1997 arrestoi Maksude Kadën, paratë e së cilës shkonin me makinat ZUK në bodrumet e PD-së, duke u ndarë nga funksionarët dhe biznesmenët në mbështetje të Saliut. Por tani ngjarjet kishin arritur kulmin e padurimit të popullit, i cili shpërtheu me protesta të dhunshme, të cilat nga ekonomike u kthyen në politike. Kështu janari i atij viti bëri që Shqipëria të gjunjëzohet nga protestat, duke filluar nga jugu dhe gradualisht pushtuan të gjithë vendin. Kjo situatë bëri që shteti të bjerë në duart e bandave, duke mbetur pa asnjë institucion në këmbë. Ky muaj shënon edhe fillimin e luftës civile, nga mosreagimi i qeverisë dhe presidencës për dorëheqje. Qeveria dhe presidenti Berisha, në vend që të bënin aktin demokratik të dorëheqjes, ata masakruan opozitën, pamjet e së cilës bëjnë xhiron e botës, duke u pasqyruar edhe në mediat e huaja, sidomos nga shtypi italian dhe ai francez. Ky ishte modeli më sinjifikativ i shtetit të Sali Berishës, që nuk mund të konsiderohej shtet, por një firmë private piramidale, që vodhi të gjitha paratë e shqiptarëve.
Më 2 mars qeveria e drejtuar nga Aleksandër Meksi jep dorëheqjen, ndërsa e kundërta ndodh me Sali Berishën, i cili në vend të dorëheqjes rizgjidhet president me votat e PD-së, duke e ngritur edhe më shumë tensionin e protestuesve. Hapja e depove dhe armatosja e qytetarëve sollën ditët më të zeza për Shqipërinë, që nga papërgjegjshmëria e tij vendi futet në luftë civile. Fakt për marrëzinë unike të tij është nxjerrja e urdhrit luftarak më 9 mars 1997, ku mobilizoheshin 13 rrethet e Veriut për luftë, duke i nisur për të shtypur revoltat në jug, të mbështetura edhe me avion luftarak MIG-19. Sipas të dhënave të mëvonshme, kur u ngrit komisioni i administrimit të fajdeve me z. Farudin Arapi, doli se firmat rentiere që u ngritën dhe operuan nën pushtetin e Sali Berishës arritën shumën prej 1.3 miliard dollarë, ku nga këto disa kreditore u likuiduan, por pjesa më e madhe e parave gjetën strehim në bankat e huaja, ndërsa shumës prej 210 milion dollarë nuk iu gjet adresa. Për këtë ngjarje të shëmtuar në historinë e tranzicionit, populli do të shprehej: ”Memorja financiare mbaron shpejt, por kjo tragjedi nuk do të harrohet kurrë.”/Elmas Bogdani