Prona në Shqipëri nuk sigurohet më me ligj, por me zarf dhe miqësi politike. Në zyrat e Kadastrës, shteti është kthyer në grabitësin më të madh të qytetarëve të vet, me firmë, vulë dhe bekim nga maja e pushtetit. Konkretisht Hipoteka dhe Kadastra janë kthyer në kasaphanën e të drejtave pronësore, ku certifikatat dhe legalizimet nuk jepen me ligj, por me zarf, ryshfet, dhe lidhje klienteliste me majat e qeverisë. Në qendër të kësaj afere është Lorena Goxhobelli, drejtuesja e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, e cila, sipas burimeve të shumta, dyshohet se ka ngritur një strukturë mafioze zhvatjeje që operon në të gjithë vendin.
Burime nga brenda institucionit denoncojnë se për një shërbim bazik, si certifikata e pronësisë apo legalizimi i një ndërtese, qytetarëve u kërkohen nga 10 deri në 100 mijë euro nën dorë.
Ndërkohë në Devoll, rasti i Vangjel Damos që denoncoi pak ditë më parë gazeta “SOT”, trondit çdo koncept të drejtësisë, prona e familjes së tij është tjetërsuar, duke kaluar në emër të shtetit në kundërshtim të hapur me një vendim gjykate dhe një VKM në fuqi.
Drejtoria Rajonale Korçë–Devoll–Kolonjë, e drejtuar nga Eni Polena, është kapur në flagrancë duke regjistruar sipërfaqe të pronës në mënyrë të paligjshme, duke përjashtuar pronarët ligjorë nga e drejta e tyre. Kjo nuk është thjesht abuzim administrativ, por një akt kriminal që rrënon shtetin ligjor dhe cenon drejtpërdrejt të ardhmen e pronës private në Shqipëri.
Prapaskenat
Por ndërsa qytetarët enden korridoreve me dokumente në duar, ku përballen me arrogancën dhe heshtjen e zyrtarëve, për Goxhobellin vijnë mesazhe mbështetjeje nga vetë kryeministri Edi Rama.
Sipas informacioneve të sigurta, ajo ka kërkuar të dorëhiqet dy herë nga presioni publik, por Rama e ka refuzuar dorëheqjen dhe i ka dhënë “instruksione” për të përballuar zërat kritikë. Kjo është një dëshmi tronditëse për bashkëpunimin midis politikës së lartë dhe krimit administrativ. Sot, Kadastra është kthyer në makthin e çdo shqiptari që kërkon të shesë, blejë, trashëgojë apo legalizojë një pronë, ndërkohë që zonja Lorena Goxhobelli është kampionia e drejtorëve në 30 vite që s’do t’ia dijë për hallet e qytetarëve.
Nga emigrantët që kthehen për të investuar në vendin e tyre, te qytetarët e thjeshtë që kërkojnë një copë tokë që u takon me ligj, të gjithë janë peng i një rrjeti të organizuar zhvatjeje, ku zyrtarët janë mbretër të ryshfetit dhe populli është skllevër të padukshëm të një sistemi që nuk e mbron.
Gazeta “SOT” i bën thirrje publike SPAK-ut të mos vonojë më: të nisin hetimet urgjentisht, të ndalohen përgjegjësit, të sekuestrohen pasuritë e përfituara me krim e korrupsioni, dhe të rikthehet besimi në pronë dhe drejtësi. Sepse nëse prona nuk është e sigurt, as liria, as shteti, as demokracia nuk kanë më kuptim. Pra Shqipëria nuk mund të jetë një republikë e zarfeve, por një shtet i së drejtës. Ndryshe, jemi vetëm një vitrinë e rreme e një regjimi të korruptuar, ku e vetmja pronë që nuk grabitet është frika.