Kupola drejtuese e Policisë së Shkodrës është shkarkuar ditën e sotme. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, njoftoi vendimin e marrë për shkarkimin e drejtorit të Policisë në Shkodër, Fatmir Lleshajt, shefit të Komisariatit, Nik Nikollaj si dhe shefi i Stacionit të Policisë së Thethit.
Gjatë protestës së banorëve të Thethit të cilët u revoltuan dhe ngritën zërin kundër shembjes së ndërtimeve, Nik Nikolla pati një përplasje sy më sy me një prej personave në protestë.
Banori i zonës akuzon në sy Nikollën se ka marrë para së bashku me persona të tjerë për të lejuar ndërtimet pa leje në zonë. Shefi i komisariatit i përgjigjet duke thënë që të shkojë të bëjë kallëzim në prokurori për akuzat ndaj tij.
“Ju keni shkelur ligjin dhe keni marrë lekë për tu bërë këto ndërtesa. Ju jeni hajduta. Sot vini dhe i shembni. Ti i pari që vjen për t’i shembur. Ti nuk zbaton ligjin, zbaton leshin. Ke marrë lekë.”-thotë banori.
Ndërkohë Gentian Berberi është emëruar drejtor i komanduar i Policisë së Shkodrës, i cili do të zëvëndësojë Fatmir Lleshajn, tashmë i larguar nga detyra.
Gentian Berberi ka mbajtur më parë postin drejtues në Policinë e Vlorës e së fundmi në atë të Kukësit. Ndërkohë në Kukës, si drejtor i strukturës policore është komanduar Loard Sallaku, ish-shefi i komisariatit nr.2 në Tiranë.
Ky ndryshim rrënjësor në kupolën drejtuese në Komisariatin e Shkodrës vjen pas disa ditëve intensive në Theth pas skandaleve për ndërtimet pa kriter pa leje nga banorët vendas.