Mero Baze
Ervin Salianji dhe Ilir Meta janë arrestuar afërsisht në një kohë. Pas dhjetë muajsh, Ervin Salianji ka pësuar një ndryshim rrënjësor. Ka mbjellë flokët dhe ka bërë operacion plastik hundën. Shumë bukur duket. T’i gëzojë.
Jam kurioz tani nëse Ulsi Manja si ministër Drejtësie, mund të më japë informacion si gazetar, kur e ka bërë kërkesën e parë për mbjellje flokësh, te cila klinikë, a ka ardhur kirurgu i flokëve në qeli, apo ka shkuar Salianji, sa seanca ka bërë, dhe si është kujdesur personeli i burgut për gjendjen pas operatore të tij.
Akoma më e vështirë është kjo situatë me ndërhyrjen kirurgjikale në hundë. I është dashur me siguri të rrijë ndonjë muaj me fasho dhe të shmangte mediat që i kishte sa herë i duheshin në burg.
Ai ta kishte kërkuar vetë këtë burgun, nuk do t’i dilte më mirë, së paku për anën politike, ashtu dhe estetike. Nuk është e lehtë të kesh dhjetë muaj kohë të plotë vetëm për operacione estetike, duke ëndërruar se si do të dukesh si kryetar PD. Atë hundën mund ta zgjaste pak dhe ta bënte pak me majë të kthyer si Berisha, që të kishte kuptim vazhdimësia. Dhe Skënderbeu thonë e ka pasur ashtu.
Mos të flasim pastaj për kontaktin me mediat. Kur votohej më 11 maj, kamerat e shoqëronin Salianjin që nga dera e burgut e deri në qendër votimi, dhe kur doli nga burgu si “hero”, e shoqëronin që kur doli nga dera e qelisë në oborrin e burgut. Kjo është një gjë shumë e mirë. Në të vërtetë, burgjet nuk kanë qëllim vuajtjen fizike, por kufizimin e lirisë për të ndjerë përgjegjësinë e veprës penale që ke bërë.
Ndryshe nga Salianji, Ilir Meta ka qenë në një proces të gjatë ankesash për jetën në burg. Është ankuar që s’ka ujë, është ankuar që s’ka kushte normale për fjetje dhe ngrohje, është ankuar për ushqimin, dhe për dënime të shpeshta që merr pse flet me median.
Salianji s’e ka pasur këtë kufizim. Ai ka folur me mediat më shumë nga burgu se sa nga selia e SHQUP-it kur ishte i lirë.
Jam kurioz të kuptoj kush i vendos standardet për të burgosurit në Shqipëri dhe pse është ky diskriminim pozitiv për disa dhe diskriminim i vërtetë për disa të tjerë.
Por marr vetëm të burgosurit që vijnë nga politika, se ata të tjerët i kuptoj. E kuptoj pse një të dënuari të përjetshëm më parë i çojnë telefon në dhomë, pastaj çojnë atë, për të mos thënë eskortat e femrave apo drekat e darkat e shtrenjta.
Aty e kuptoj që Ulsiu nuk ka fuqi. Por këta politikanët pse i ndan në çeta dhe kur janë të një çete?
Ja sot kanë dënuar përsëri Ilir Metën 14 ditë me mos ushtrim fizik, çka mund të jetë e rrezikshme edhe për shëndetin e tij, ndërsa Salianji ka dy ditë që i gëzohet kozmetikës së tij si lider i ri, me flokë të reja, hundë të re dhe natyrisht nuhatje të re politike për ndonjë post të rëndësishëm në PD.
Nuk po flas për linçimin e Ilir Beqajt apo Erion Veliajt, që nuk e lejojnë të dalë nga dera e qelisë dhe nuk pranojnë të takojë askënd tjetër përveç gruas dhe vëllait. Aty e kuptoj që veprojnë standarde të tjera nga lufta brenda llojit. Por po flas për diferencimin edhe brenda politikanëve të opozitës.
Nuk është se po shqetësohem për standardet e burgjeve, se ato i kanë menderosur që kur mbajnë kriminelët dhe vrasësit si pashallarë dhe tregojnë forcën me ish-kolegë të tyre të burgosur. Të paktën këta të opozitës t’i trajtojnë njësoj, se kështu duket sikur qeveria është me Salianjin dhe kundër Metës, ndërkohë që të dy janë pretendentë për pasardhës të Berishës. Këtyre të burgosurve të PS-së e meritojnë t’ua bëjnë dhe më zi.