Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta kërkon lirinë në Gjykatën Kushtetuese. 10 muaj në qeli, Meta nëpërmjet avokatit të tij kërkon tashmë lirinë në hallkën e fundit të drejtësisë në Shqipëri.
Mësohet se padia është dorëzuar nga avokati i tij i ri, Kujtim Cakrani.
Më herët, Gjykata e Posaçme, Apeli dhe Gjykata e Lartë kanë lënë në fuqi masën e kërkuar nga SPAK për ta lënë Metën në arrest me burg.
Kjo lëvizje e Metës vjen pasi SPAK ka mbyllur hetimet dhe ka nisur gjyqi ndaj tij. Mbi të rëndëojnë akuzat e korrupsionit, pastrimit të parave e fshehje dhe mosdeklarim të pasurisë për tre dosje, pasuria, afera CEZ-DIA dhe lobimi në SHBA.
Për të njëjtat çështje akuzohet dhe ish-bashkëshortja e tij, Monika Kryemadhi. Kohët e fundit, nuk kanë munguar as akuzat e forta ndaj njëri-tjetrit.
Por Ilir Meta, është i vetmi opozitar që ka mbetur në qeli. Në fillim të këtij muaji, Gjykatat kanë liruar ish-deputetin Ervin Salianji me kusht dhe dhëndrin e kryetarit të PD, Sali Berisha. Ky i fundit prej kohësh ka dalë nga masa e arrestit të shtëpisë, dhe ka vetëm masën detyrim paraqitje./abcnews.al