Partizani dhe Skënderbeu kanë mbajtur dje komunikatat e tyre për shtyp, duke u distancuar nga dhuna e ndodhur gjatë ndeshjes midis tyre të luajtur të premten në Korçë. Në komunikatën e Partizanit ka distancim nga dhuna dhe apelim që ndeshjet e futbollit të luhen për argëtimin e tifozerive, kurse Skënderbeu akuzon tifozerinë e kuqe për sherre e dhunë të përsëritur dhe apelon se ajo duhet dënuar sipas ligjeve.
Qëndrimi i Partizanit
“Saktësojmë se klubi ynë nuk pajtohet kurrsesi me ngjarje të tilla, të cilat prishin imazhin dhe nuk i shërbejnë futbollit të luajtur dhe “Fair Play”- it në fushë dhe tribuna. Partizani për vite me radhë ka zbatuar me rigorozitet dhe korrektësi organizimin dhe mbarëvajtjen e ndeshjeve. Ne si klub nuk pajtohemi kurrsesi me ngjarjet fundit të ndodhura mes dy tifozerive, ndaj gjithmonë do të mbetemi të hapur për të bashkëpunuar me të gjitha instancat përgjegjëse të përfshira, për një mbarëvajtje sa më korrekte të aktiviteteve sportive. Objektivi madhor yni është që t’i kthejmë stadiumet në arena argëtimi, pasi sporti luhet për publikun dhe ky duhet të jetë misioni dhe objektivi parësor i çdo klubi”, thuhet ndër të tjera më qëndrimin e Partizanit. Por i menjëhershëm ka qenë reagimi i Skënderbeut, i cili fajëson partizanin.
Qëndrimi i Skënderbeut
Klubi korçar e nis komunikatën e tij me shprehjen “E përsëritur”, që do të thotë se tifozeria e kuqe e Partizanit është shkaktare e dhunës në Korçë. Duke marrë shkas nga ngjarjet e ndodhura ditën e premte gjatë zhvillimit të ndeshjes Skënderbeu – Partizani, në stadiumin “Skënderbeu” dëshirojmë të reagojmë dhe kërkojmë nga autoritetet përkatëse zbardhjen e çështjes dhe nxjerrjen para ligjit të autorëve. Bilanc lufte në 4 vitet e fundit! Ata që viktimizohen dhe përgjegjësinë e tyre prej vitesh e adresojnë te të tjerët, duke trilluar dhe skenarë të formave të ndryshme në 4 vite e fundit, gjatë transfertave në Korçë kanë shkaktuar minimalisht 3 milionë lekë dëme materiale dhe me dhjetëra të plagosur. Kur do të vijë momenti që përgjegjësia t’u kalojë atyre që shkaktojnë trazira? Atyre që dhunojnë, shkatërrojnë stadiume dhe rrezikojnë jetën e qindra fëmijëve dhe sportdashësve të tjerë, të cilët 90 minutat e takimit i shohin vetëm si mënyrë argëtimi dhe jo lufte”, shkruhet në komunikatën e Skënderbeut. Më tej vijohet me apelin për zbatimin e ligjit. “KF Skënderbeu bën thirrje për implementimin e plotë të ligjit për sportit dhe individualizimin e përgjegjësisë. Nuk mund të vijohet më me dënime kolektive, që dëmtojnë produktin tonë dhe investimet e klubeve. Nuk mund të jenë ende të paprekshëm grupime me prapavijë dhe mbështetje politike, i njëjti grupim që shkaktoi trazirat ditën e premte në Korçë, duke përfituar nga paprekshmëria, ka shkaktuar të njëjtin incident thuajse në të gjitha stadiumet e Kategorisë Superiore. Është fakt! E njëjta tifozeri ka shkaktuar incidente të ngjashme edhe me prezencën e forcave të policisë në pjesën e brendshme në stadiumit, duke përfituar nga paprekshmëria dhe duke qenë vazhdimisht të privilegjuar nga mbështetja politike”, theksohet më tej në qëndrimin e klubit korçar. Në fund, nëpërmjet njoftimit, klubi i Skënderbeut pranon se ngjarja po hetohet nga Prokuroria, por kjo duhet të bëhet korrekte dhe jo me dy standarde. “Në dijeninë tonë, incidenti i ndodhur në stadiumin “Skënderbeu” ditën e premte po hetohet nga prokuroria e rrethit Korçë. Nisur nga ky fakt, KF Skënderbeu i kërkon Komisionit të Disiplinës pranë FSHF të presë zbardhjen e çështjes nga ana e Prokurorisë në lidhje me incidentin në fjalë dhe po ashtu kërkojmë nga Prokuroria e rrethit hetimin me një standard të dy tifozerive dhe jo vetëm të grupimit bardhekuq, në mënyrë që të dalin përgjegjësit e vërtetë të incidentit. Në stadiumet shqiptare nuk mund të ketë më të paprekshëm me prapavije politike. Ata që prej vitesh dëmtojnë investimet tona, dhunojnë pronën privatë, prishin qetësinë publike dhe mbi të gjitha largojnë tifozët nga stadiumet”, përfundon komunikata e Skënderbeut.
Adriatik BALLA