Më 3 shtator pritet që të rikthehen debatet politike në vend. Në këtë datë do të rihapet sesioni parlamentar, ndërsa sa kjo vjeshtë, do ketë shumë zhvillime. Gjëja e parë që pritet të shkaktojë debat në arenën politike është shembja e Teatrit Kombëtar. Presidenti e ktheu mbrapsht ligjin që hap rrugën e shembjes, ndërsa mazhoranca ka premtuar se do e rrëzojë dekretin dhe në shtator do i vihen rruspat teatrit. PD e LSI janë pozicionuar kundër, ndërsa ditën e rrëzimit të dekretit do të ketë protesta brenda dhe jashtë Parlamentit. Madje LSI ka paralajmëruar se do ketë dhe dhunë.
Çështja tjetër është ajo e ligjit për magjistratët. Në fund të korrikut ishte planifikuar miratimi i tij, me qëllim që të zhbllokohet disi ngërçi në drejtësi. PS synon të hapë Shkollën e Magjistraturës dhe të diplomohen 50 gjyqtarë dhe prokurorë. Po ashtu propozohet që KLD dhe Prokuroria e Përgjithshme të kenë të drejtë për emërimin e tyre. Opozita ka dalë kundër dhe me shumë gjasë edhe në Shtator nuk do e pranojë ndryshimin e ligjit. Një tjetër çështje e nxehtë është ajo e paktit detar me Greqinë.
Pritej që në qershor ky pakt të ishte finalizuar, por ende nuk kemi një marrëveshje publike. Flitet se palët kanë rënë dakord mes tyre, por në lojë ka hyrë Ilir Meta. Që pakti të shkojë në Parlament duhet të miratohet nga kreu i shtetit dhe ai ka dhënë sinjale që do e bllokojë. Temë tjetër është dhe zgjedhja kreut të KLSH.
Në vjeshtë Bujar Leskajt i mbaron mandati dhe në vend të tij duhet të zgjidhet një emër tjetër. Ligji parashikon që emri propozohet nga Presidenti dhe miratohet nga Parlamenti. Pra nëse nuk gjendet konsensusi mes Ramës dhe Metës me shumë gjasë ky institucion mund të bllokohet. Vjeshta do jetë vendimtare dhe sa i takon reformës në drejtësi. BE ka kërkuar që të nisin arrestimet në nivele të larta dhe të ngrihet SPAK.
Që kjo të ndodhë duhet që të gjendet konsensusi mes mazhorancës dhe opozitës. Pritet që në vend të zbarkojnë ndërkombëtarët që të gjendet gjuha e përbashkët.