Acarohet situata brenda Partisë Socialiste. Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj duket se nuk gëzon mbështetjen e të gjithë deputetëve. Gazeta e ka thënë disa herë se ka shumë nga ata që janë të pakënaqur me të. Një ndër ta është dhe deputeti Erion Braçe. Përmes një postimi në rrjete sociale, ai ka sulmuar shumë fort kryetarin e bashkisë. “Jam një ndër njerëzit në këtë qytet që e kam vlerësuar dëshirën e kryebashkiakut për të punuar, ndryshuar për të zhvilluar Tiranën. Por jo marrëzinë, klientelizmin, padrejtësinë gjithashtu.
E kam bërë publikisht, tërësisht jashtë çdo interesi personal. Ndaj më kanë sulmuar kur kam vlerësuar dhe çfarë nuk më kanë thënë kur kam kritikuar”, tha ai. Braçe ka denoncuar dje me foto shkelje sipas tij nga ana e bashkisë me ndërtimin e rrugës “Faik Konica”. “Dje, pas një viti e gjysmë, mbaruan 900 metër të rrugës “Faik Konica”, aty ku banoj. Ishte dhe kryebashkiaku, por unë nuk e pashe, ai erdhi herët por unë kisha shkuar edhe më herët në punën që bëj. Aq herët, pashë tabelën e vendosur për herë të parë që derdh trafikun e juglindjes-TEG, Petrelë, Berzhitë, Elbasan, Librazhd, Prrenjas, Pogradec, Korçë, Devoll, Greqi, në këtë rrugë që kalon mes përmes 8 pallateve, vetëm 1-2 meter larg portave të tyre.
Natyrisht, Lulzim Basha që e projektoi të tille ishte një i marrë; Cilido që e çoi deri në fund marrëzinë e Lulit e ka gabim, shumë gabim”, ka deklaruar ai. Ai ka treguar dhe aksionet që ka ndër marrë policia bashkiake. Sipas tij janë vënë gjoba pa hesap dhe në mënyrë klienteliste.
“Policia e Bashkisë u lëshua në aksion. Në mëngjes, gjobiti në rrugët rreth e qark “rrugës së re”, për parkimin natyrisht, po jo drejtësisht; Siç e shihni në foto, makinën e një udhëheqësi të Inspektoratit të Punës mbi trotuar se gjobiten. Por edhe veten parkuar kështu nuk e gjobitën. Në darkë u lëshuan në “rrugën e re”; Për parkimet përsëri, tabela ishte vendosur në mëngjes, tërësisht në krahun tjetër të rrugës, e pa vene re nga kërkush, për më tepër të pa njoftuar”, tha ai.