Thellohen debatet sa i takon dialogut Kosovë-Serbi. Ideja e presidentit Hashim Thaçi për korrigjim kufijsh ka shkaktuar mjaft përplasje dhe në Tiranë, ku protagonistë kanë qenë kryeministri Rama, presidenti Meta, apo dhe ish-kryeministri Berisha. Këta dy të fundit akuzojnë Ramën se është përkrahës i idesë për ndarjen e Kosovës. Por Hashim Thaçi, me deklaratën që bëri ditën e enjte, duket se i ka tronditur.
Ai akuzoi Berishën se ka punuar kundër Kosovës, ndërsa deklaroi se një kryeministër shqiptar në vitin 2002 i vuri atij në tavolinë planin e kryeministrit serb Zoran Gjinxhiç për ndarjen e Kosovës. Por kush është ky kryeministër? Në vitin 2002 vendi ka pasur 3 kryeministra, fillimisht ishte Ilir Meta, i cili ja la vendin Pandeli Majkos në shkurt, ndërsa në korrik u emërua Nano. Por dyshimet bien mbi presidentin Meta, për shkak se nga 3 emrat në fjalë, ai ishte më i afërti me Gjinxhiç.
Në maj të vitit 2002, Meta ka bërë një vizitë në Beograd, ku është takuar pikërisht me Gjinxhiç. “Ne bëjmë çmos për të nxitur bashkëpunimin midis serbëve dhe shqiptarëve në kuadër të institucioneve të përbashkëta në Kosovë”, ka thënë Meta, i cili tregon qartë se ka tentuar në atë kohë që të negociojë mes Kosovës dhe Serbisë, madje dhe pas lënies së detyrës.
Në një deklaratë më vonë, Meta ka deklaruar në media se ka punuar shumë për të ulur në një tryezë Thaçin dhe Gjinxhiçin. “Sot në Bruksel ka ndodhur diçka që unë personalisht nuk e kam menduar se do të ndodhte, por edhe shumë të tjerë, pavarësisht se dikur kam punuar shumë për të realizuar një takim midis liderit të PDK-së të Kosovës, zotit Hashim Thaçi dhe ish-kryeministrit të ndjerë të Serbisë Zoran Gjinxhiç, takim që nuk ndodhi për arsye të vrasjes së këtij të fundit nga forcat e së shkuarës në Serbi”, ka thënë ai më herët.
Qëndrimi i Metës
Ai që e intrigon më tepër situatën është gazetari Baton Hahxiu. Gjatë një interviste që ka zhvilluar me Metën, ai ka hedhur dyshime se ai i ka vënë harta në tryezë Thaçit për ndarjen e kufijve. Por Meta është përgjigjur: “Ajo që ne kemi rënë dakord ka qenë që të ndërtohet një proces dialogu midis Serbisë dhe Kosovës që në atë kohë.
Dhe në kuadër të këtij procesi ai ka shprehur edhe vullnetin e tij publikisht tek “Zëri i Amerikës” në shkurt të vitit 2003 për t’u takuar edhe me kryetarin e Partisë Demokratike në atë kohë z. Hashim Thaçi, gjë që ishte vërtetë njëherazi po të kemi parasysh se vetëm pak vite kishin kaluar nga lufta”. Gjinxhiç u ekzekutua në vitin 2003, ndërsa Meta gjatë një vizite në Beograd shkoi te familja e tij dhe më pas vendosi lule te varri. Kjo solli reagime të forta në atë kohë. Kur u vra ai, Meta thuri mjaft elozhe.
“Unë mund të them me bindje të plotë se ishte një kënaqësi e madhe të bisedoje me zotin Gjinxhiç, sepse ishte një politikan realist, pragmatist, me kurajë, pa tabu dhe paragjykime, një politikan reformator, me të cilin mund të bisedoje për çdo gjë, pavarësisht se nuk mund të bije dot dakord për gjithçka.
Por e përbashkëta në vizionet e zotit Gjinxhiç dhe në vizionet tona ka qenë se marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Serbisë duhet të ndryshonin dhe të pësonin një kthesë historike, e cila t’u shërbente jo vetëm interesave reciproke të dy vendeve, jo vetëm destinacionit të përbashkët, pra Bashkimit Evropian, por njëkohësisht edhe për të ndryshuar në përgjithësi historinë e marrëdhënieve midis shqiptarëve dhe serbëve”, tha ai në atë kohë. Të gjitha këto tregojnë se pas deklarimeve të Thaçit, gishti shkon te presidenti Meta./ Kliti Topalli