Për ngritjen e Strukturës së Posaçme Antikorrupsion po punohet me ritme shumë të shpejta. Teksa Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka mbyllur dosjet e vlerësimit për pothuajse të gjithë kandidatët prokurorë për SPAK, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit po i kalon me përparësi në veting të gjithë pretendentët që duan të jenë pjesë e organit. Ditën e djeshme u rivlerësua kandidati i parë për SPAK, prokurori i Dibrës,
Shkëlzen Cena, që momentalisht është i komanduar në Prokurorinë e Tiranës. Ndërkohë sot do të kalojnë në “skaner” edhe dy emra të tjerë. Bëhet fjalë për dy prokurorët e Krimeve të Rënda, Ened Nakuçi dhe Edvin Kondili. Kjo do të thotë se momentalisht KPK e ka fokusuar punën e saj të rivlerësimi i kandidatëve për SPAK me qëllim që ky organ të ngrihet sa më parë.
Burimet i thanë gazetës se hetimet për secilin emër që ka shfaqur interes për të qenë anëtar i Prokurorisë Speciale janë mbyllur, ndërsa tani priten vetëm seancat dëgjimore. Sipas informacioneve të gazetës, faza e seancave dëgjimore dhe dhënia e vendimeve për kandidatët e SPAK do të mbyllet brenda qershorit.
Rrjedhimisht mund të themi se Struktura e Posaçme Antikorrupsion mund të ngrihet brenda korrikut ose maksimumi në vjeshtë është mbyllur ky proces. Siç e kemi theksuar edhe më herët, deri tani 4 kandidatë janë konfirmuar në detyrë, çka hap rrugën që SPAK të ngrihet edhe me më pak se 10 prokurorë, siç ka thënë kryetari i KLP, Genti Ibrahimi. Sipas informacioneve,
SPAK mund të ngrihet si fillim edhe me 5 prokurorë e pastaj pak nga pak arrihet numri 15 siç është përcaktuar në ligj. Afrimi me shpejtësi i SPAK ka futur në alarm politikanët e korruptuar. Të gjithë e dinë se janë të rrezikuar nga SPAK sepse ky organ do të kryejë hetime dhe arrestime në nivele të larta, deri tek presidenti e kryeministri. Pritshmëritë nga SPAK janë të larta sepse kësaj strukture do t’i besohet goditja e korrupsionit dhe krimitorganizuar në nivel zyrtarësh të lartë.
Seanca për Shkëlzen Cenën
Dje KPK mbajti seancën e parë me kandidatët e SPAK. Ai që kaloi në “sitë” ishte prokurori Shkëlzen Cena, i cili iu nënshtrua procesit me përparësi. Për të trupa gjykuese relatoi një sërë gjetjesh problematike, qoftë për kriterin pasurisë, ashtu edhe për anën profesionale e figurën. Cena kishte deklaruar se zotëron një apartament në Kukës, të krijuar nga kursimet e prindërve.
Por për këtë pasuri KPK konstatoi se ka mospërputhje mes deklaratash sepse një herë deklaron si burim krijimi kursimet e familjarëve, një herë rrogën e tij. Nga hetimi i KPK ka rezultuar se prindërit e tij nuk kanë patur mundësi financiare për të blerë apartamentin në fjalë. Po ashtu ai ka marrë një kredi bankare dhe ka shpenzuar 1 milion lekë për rikonstruksionin e apartamentit, por sipas KPK, ai nuk e provon nëse kredia është përdorur për qëllim rikonstruksioni apo një qëllim tjetër.
Probleme Shkëlzen Cenës i hapi edhe një akt-marrëveshje me shtetasin D. B. për blerjen e një apartamenti. Sipas KPK, prokurori i ka paguar D. B. një këst prej 28 mijë eurosh, por Cena e mohoi diçka të tillë. Për këtë Cena u pyet nga trupa gjykuese, por edhe nga përfaqësuesja e ONM.
Edhe pse këmbënguli në seancën se pagesa e 28 mijë eurove ishte lapsus i noterit, pas pyetjes së ekspertes së ONM, prokurori tha se nuk ishte i sigurt nëse e kishte lexuar kur kishte firmosur që në kontratë përmendej pagesa e 28 mijë eurove në kohën kur e kishte nënshkruar kontratën. Probleme KPK, njësoj si Këshilli i Lartë i Prokurorisë, i gjeti Shkëlzen Cenës edhe me aftësitë profesionale.
Nga dosjet e hetuara, trupa gjykuese relatoi se prokurori nuk i ka argumentuar siç duhet vendimet e tij, nuk i ka kryer deri në fund hetimet, si edhe ka favorizuar shtetas që janë dënuar në mënyrë të përsëritur për të njëjtën vepër penale. Për shkak të këtyre gjetjeve, Shkëlzen Cena rrezikon shkarkimin nga detyra.
Mimoza Ibra