Duke menduar se shqiptarët nuk e dinë, që LSI, ose më saktë partia e familjes presidenciale, ka qenë “bazë korrupsioni” në çdo qeverisje; por mendon se shqiptarët e besojnë dhe do ta votojnë për t’i dhënë pushtet, të cilin di ajo si e përdor
Mbrëmjen e së hënës, Monika Kryemadhi ishte në debat mediatik, ku foli për protestat e të rinjve pas vrasjes së Klodian Rashës; për faktet korruptive të ministrave e drejtorëve të LSI në dy pushtetet me PD e PS dhe për rezultatin e kësaj partie në zgjedhjet e 25 prillit 2021.
Po shkëpusim tre, nga shumë pyetjet që iu bënë Kryemadhit:
1. Nëse ju jeni e pastër si individ e parti, pse nuk distancoheni e nuk i dënoni, aferat korruptive që kanë bërë qeveritarët e LSI?
2. A do fitoni mandate nga lista e PD, apo vetë si parti dhe sa mandate?
3. Për çfarë motivesh duhet të besojnë përsëri shqiptarët, ty si Monikë, Ilirin e LSI?
Ja tre përgjigjet e Monikës:
1. Ju garantoj, se as unë, as Iliri, as drejtuesit e LSI, nuk kemi pasur, e nuk kemi lidhje me korrupsionin; dhe as nesër në pushtet, nuk do kemi lidhje me afera korrupsioni.
Për ata që kanë vjedhur, përgjegjësia është personale sepse nuk kanë vjedhur në emrin tim, të Ilirit apo të LSI; ndërsa për ta ditur, LSI e denoncon dhe e dënon korrupsionin.
2. Aktualisht, ne si LSI, jemi e vetmja forcë e besueshme për shqiptarët; dhe nuk kemi nevojë të qëndrojmë nën hijen e askujt, por me LSI në krahë, koaliconi ynë do fitojë 100 mandate.
3. Shqiptarët duhet të na besojnë e do na votojnë masivisht si LSI, për ndershmërinë, përkushtimin dhe arritjet e luftën kundër korrupsionit, që kemi bërë gjatë 4 viteve qeverisje me PD e 4 me PS; mbasi jemi e vetmja shpresë për ndryshim dhe integrimin e të rinjve.
Përgjigjet e Monikës, janë të tilla, sikur LSI është krijuar dje; sikur Monika dhe Iliri me pasuri mbi 3 miliardë Euro, nuk kanë qenë as 1 ditë në pushtet e sikur nuk kanë vjedhur as “1 cent”.
Monika foli, sikur nuk e emëroi ajo Lefter Kokën që firmosi 3 landfillet; Haxhinaston e transportit, Panaritin e bujqësi-ushqimeve apo Petrit Vasilin, ministër Shëndetësie në pushtetin e PD, kur u kap me 30 milionë Euro korrupsion ilaçesh.
Monika flet, sikur nuk emëroi ajo drejtorin e rrugëve, të burgjeve, minierave, naftës, AKU, mjedisit, pronave e arsimit në 4 qarqe, të cilët u prangosën për afera korrupsioni e vjedhje të pasurive kombëtare.
Jo vetëm dje, por në çdo deklaratë gjatë vitit të fundit, Monika vetëshpallet si shpëtimtare e vendit nga kriza, si shpresa e vetme, që pas 25 prillit do ndryshojë jetën e shqiptarëve.
Po ligjëron, sikur nuk ka asnjë lidhje me xhunglën sociale ekonomike, sikur vërtetë siç thotë, atë pasuri “sheikësh”, ia ka lënë trashëgim e ëma, Fatimja,
Flet për pasuri të pastra të lëna nga nëna; Monika, e bija e Fatimes së lodhur nga varfëria, që shiste qepë e lakra në trotuaret e Laprakës deri në tetor 1999, kur dhëndrit Zv/kryeministër i shkoi thesi i parë me miliona nga kokaina e licenca nafte.
Prej 30 vjetësh, burrë e grua kanë e janë në krye të politikës e shtetit, me të gjithë llojet e posteve qeveritare, të cilët i kanë marrë, i kanë lënë e do t’i lënë me “lumë” zullumesh.
Ndërsa tani, nga vila 10 milionë Euro buzë detit, Monika betohet për anti-korrupsion, për ndershmëri e shërbim ndaj popullit dhe vendit; duke kërkuar përsëri pushtet, nën thirrjen “Ristart i Klasës Politike” që bëri burri i saj president.
A mund të besohet e lihet më, fati i shqiptarëve në dorën e gruas së Ilirit e vajzës së Fatimes?/Pamfleti