Ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri në një lidhje për emisionin “Java” në TVSH, u pyet nëse ndjente përgjegjësi për fenomenin e kanabisit. Tahiri tha se me këtë logjikë duhet të ishte në burg Koço Kokëdhima apo ministri aktual, por dhe Berisha, për shkak se ka ende kanabis.
Preç Zogaj: Deri ku shkon përgjegjësia për kanabizimin si fenomen?
Saimir Tahiraj: Me këtë logjikë i bie që Koço Kokëdhima të ishte në burg që para tre vjetëve, i bie që Sali Berisha të ishte në burg që linte Lazaratin, i bie që ministri aktual i Brendshëm të jetë në burg se në Shqipëri ka kanabis.
Unë rezervohem të flas për vendimin e Gjykatës pasi nuk e kam lexuar.
Ish-ministri tha se do të jetë i qetë kur e gjithë historia do të përfundojë.
Ai u shpreh se do të luftojë me të gjitha mundësitë për të arritur tek e vërteta e tij.
I pyetur nëse nesër pritet të publikojë materiale kompromentuese për ish-kolegët e tij socialistë, ish-ministri i Punëve të Brendshme tha:
“Është fyese të mendohet se unë shantazhoj njerëz me materiale. Sikurse është fyese të mendosh se ish-kolegët e mi paskan diçka për t’i shantazhuar. Drejtësia ime nuk kalon nëpër skuta” tha Saimir Tahiri në emisionin “Java në RTSH”.
Ai tha se qysh në krye të herës është përballur si qytetar me akuzat dhe se nuk kërkon mbështetjen e askujt nga kampi politik.
“Unë nuk kam asnjë koment për deklaratat e Edi Ramës apo socialistëve të tjerë. Çështjen e kam me drejtësinë”, tha Saimir Tahiri mbrëmjen e së premtes.