Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion, pas rreth 6 vitesh hetime, merr të pandehur kreun e Partisë së Lirisë, Ilir Meta dhe ish-bashkëshorten e tij, Monika Kryemadhi për skandalin e lobimit të LSI në SHBA, aferën CEZ-DIA dhe hetimin pasuror ndaj tyre.
Deputetja Kryemadhi qëndroi për rreth 2 orë në SPAK, ku iu komunikuan zyrtarisht akuzat pastrim parash, korrupsion dhe mosdeklarim pasurie.
Për të njëjtat akuza merret i pandehur edhe Ilir Meta, ish-presidenti i Republikës, ish-kryeministër dhe ish-kryetar Kuvendi i cili ndodhet në qeli prej 21 tetorit 2024.
Ky i fundit është shoqëruar nga paraburgimi i 313-ës për në SPAK, ku ishte vetë i pranishëm në komunikimin e akuzës.
Mësohet se para dy javësh, Meta ka ndërruar edhe avokatin e tij dhe tashmë nuk përfaqësohet më nga Genc Gjokutaj që mbron edhe Berishën, por nga avokati Kujtim Cakrani.
Marrja e Metës si person i pandehur vjen pasi gati 6 vitesh hetime, ku SPAK e akuzon se Ilir Meta, si ish-ministër i Energjetikës, përdori pushtetin për lidhjen e kontratës për borxhet e CEZ, ku DIA me administrator Kastriot Ismailin, fitoi 6.5 mln euro edhe pse nuk përmbushte kriteret ligjore.
Në këmbim, SPAK thotë se Meta ka kërkuar dhe ka marrë shuma të konsiderueshme parash kur si ministër duhet edhe të monitoronte zbatimin e kësaj kontrate.
Çështja e dytë në ngarkim të Metës dhe Kryemadhit shkon në vitin 2014, kur sipas SPAK të dy kanë ndërhyrë në institucione shtetërore dhe kompani celulare që një firmë e huaj të futej në tregun e fibrave optike për shërbimin e internetit.
Meta e Kryemadhi, sipas SPAK, kanë marrë pjesën e tyre të fitimit dhe janë pajisur me karta krediti nga administratori i kompanisë, ndërsa të gjitha shpenzimet që kanë bërë me këto karta nuk i kanë deklaruar.
Për këtë kontratë është përdorur Pirro Xhixho, në atë kohë kreu i AKEP, i cili me porosi të Metës sipas hetuesve ka ndikuar tek drejtuesit e kompanisë telefonike celulare që të lidhin kontratë interkonjekionit të transferimit të thirrjeve telefonike me kompaninë UNIFI Holldings në pronësi të biznesmenit Adrian Shatku. Po ashtu, sipas SPAK Xhixho ka lejuar kompaninë private të ushtrojë aktivitetin e saj në shkelje të ligjit të AKEP.
SPAK thotë se në vitet 2016-2017, Ilir Meta, si kryetar i LSI, lidhi kontrata lobimi me 2 kompani amerikane dhe vetëm një pjesë e parave është bërë përmes llogarive të LSI ndërsa shifra 463 mijë dollarë jo. Madje këto para as nuk janë pasqyruar në bilancet e shpenzimeve në KQZ.
Episodin e pestë që ngre dyshimet për pastrim parash nga çifti Meta-Kryemadhi SPAK e lidh me blerjen e një apartamenti 310 mijë euro në zonën e ish-bllokut në Tiranë të justifikuar me një kredi të marrë nga nëna e Monikës, Fatime Kryemadhi.
Por SPAK thotë se shuma e plotë 310 mijë euro u derdh cash nga vjehrra e Metës, dhe kredia u përdor si mbulesë për të pastruar paratë që vinin nga aktiviteti i paligjshëm i Metës e Kryemadhit.
Sa i takon akuzës për mosdeklarim pasurie, SPAK evidenton shpenzimet e padeklaruara mjekësore të çiftit, gjatë viteve 2013-2019, në total 106 mijë euro, 86 mijë prej të cilave paguar në cash.