Avokatët e Sali Berishës dhe Jamarbër Malltezit përdorën edhe ‘kartën’ e fundit për të zvarritur sërish vendimmarrjen nëse dosja e aferës Partizani do kalojë ose jo për gjykim. Me një tjetër kërkesë të radhës, për përjashtimin e gjyqtares Flojera Davidhi për njëanshmëri, avokatët e të pandehurve, ‘fituan’ edhe 11 ditë, pasi seanca u shty dhe e radhës u caktua më 5 maj ora 11:30, konkretisht 12 ditë para zgjedhjeve parlamentare.
“Depozituam në formë të shkruar kërkesën për përjashtimin e gjyqtares dhe sipas procedurës, seanca u ndërpre sepse gjyqtarja as nuk mund të japë apo marrë vendim pa u shprehur një gjyqtar tjetër i kësaj gjykate lidhur me përjashtimin e saj. Seanca tjetër u la në datën nëse Davidhi do të jetë gjyqtarja e çështjes, ose nëse gjykata do të pranojë kërkesën tonë për përjashtim, por paraprakisht gjykata pranoi në datë duke konsideruar faktin për të mos u vonuar nëse do të rrëzohet kërkesa jonë jemi të detyruar të vijojmë me Davidhin”, tha Gjokutaj.
Vetë avokati i Berishës, Genc Gjokutaj kishte paralajmëruar një ditë më parë zvarritjen dhe në sallën e GJKKO sot u futën me synimin e qartë: zvarritjen e seancës. Fillimisht, burime bënë me dije se avokatët kanë kërkuar akte shtesë që të bënin kundërshtimet e tyre sa i takon vendimit që gjyqtarja Davidhi mori një ditë më parë, duke iu rrëzuar kërkesat për pavlefshmërinë dhe papërdorshmërinë e provave të SPAK.
Kjo ‘artificë’ nuk është pranuar nga gjyqtarja Davidhi dhe më pas ata kanë përdorur kartën tjetër, duke kërkuar përjashtimin e Davidhit, kërkesë që në fakt nuk e kanë paraqitur në 6 muaj seanca paraprake, por e shfaqën pikërisht sot në përpjekje për të shmangur përballjen e Berishës me gjykatën para zgjedhjeve parlamentare të 11 majit.
Duke qenë se jemi në një fazë që pritet vetëm vendimi për kalimin ose jo për gjykim, i Berishës, dhëndrit Malltezi dhe tre të pandehurve të tjerë, tashmë që ka një kërkesë për përjashtim, gjyqtarja Davidhi nuk mund të japë vendimin. Një tjetër gjyqtare do të caktohet për të shqyrtuar kërkesën e avokatëve për përjashtimin e Davidhit dhe më pas i hapet rrugë vendimmarrjes për kalimin ose jo për gjykim të dosjes së aferës Partizani.
Të gjithë të pandehurit kanë kërkuar pushimin e çështjes, ndërsa SPAK kalimin për gjykim. Në rast se dosja do kalojë për gjykim, biznesmeni Fatmir Bektashi dhe avokati i tij, që përfaqëson edhe kompaninë ‘Kontakt’, duan veçimin e çështjes, kërkesë për të cilën do të shprehet gjyqtari paraprak që do japë vendimin përfundimtar.
Prej 6 muajsh, mbrojtja ka përdorur mjete të ndryshme ligjore për të vonuar vendimmarrjen. Seanca paraprake nisi që në tetor 2024, por është shtyrë vazhdimisht deri më tani, kryesisht përmes taktikave të ndryshme nga mbrojtja. Nëse më 5 maj vendoset kalimi e çështjes për gjykim, kjo do të ishte përballja e parë e Sali Berishës me drejtësinë. Vendimi do të ishte një goditje e fortë për të, dhe do të vinte vetëm pak javë para zgjedhjeve parlamentare të 11 majit.
Ish-kryeministri ndodhet aktualisht në masën e sigurisë “detyrim paraqitje” për akuzën e korrupsionit pasiv, ndërsa dhëndri i tij është nën “arrest shtëpie” për akuzat korrupsion pasiv dhe pastrim parash. Nga privatizimi i klubit sportiv ku përfitues ishte dhëndri i Berishës, u ndërtuan të paktën 19 kulla pallatesh.
Me Berishën e Malltezin të pandehur janë edhe bashkëpunëtorët e tyre, biznesmeni Fatmir Bektashi, i pandehur për “korrupsion aktiv” dhe “pastrim parash”. Akuza e “pastrimit të parave” i është komunikuar edhe ortakut të Malltezit, Xhimi Begeja, trashëgimtar i tokës dhe bashkëpronar i ‘Homeplan’, si dhe Andia Pustinës, financieres që kryente të gjitha operacionet financiare dhe ligjore të Homeplan. Bashkë me këta tre persona të fundit nën akuzë janë vendosur edhe shoqëritë e tyre tregtare për pastrim parash Studio Pustina sh.p.k., Homeplan sh.p.k. dhe Kontakt sh.p.k.
Prokuroria e Posaçme dyshon se Berisha ka favorizuar dhëndrin e tij, si një nga ish pronarët e truallit të ish kompleksit sportiv Partizani, ku u ndërtuan më pas një grup pallatesh. Prokuroria e Posaçme dyshon se Berisha ka shfrytëzuar postin e tij të kryeministrit, duke miratuar ligje dhe akte të ndryshme nënligjore të përshtatura me nevojat e ish pronarëve të truallit të ish kompleksit Partizani për të mundësuar privatizimin.
Po ashtu dyshohet se ai ka ushtruar presion, përmes kontrolleve administrative, ndaj strukturave shtetërore, në mënyrë që ata të përshpejtonin procedurat e privatizimit, si dhe i ka vënë këto struktura në dispozicion të dhëndrit Jamarbër Malltezi për të arritur privatizimin, i cili sipas SPAK përfitoi 5.4 mln euro. Dosja është hetuar nga dy prokurorët Arben Kraja dhe Enkeleda Millonai.
§