Një aksident i rëndë ka ndodhur në Gjermani, ku dyshohet se 3 shqiptarë kanë humbur jetën, ndërsa 4 të tjerë janë në spital.
Ministria e Jashtme e Shqipërisë njofton se është njoftuar nga autoritetet gjermane për aksidentin e rëndë, i cili ka ndodhur në Autobahn 48 në Gjermani, pranë qytetit Koblenz të Rheinland-Pfalz.
Sipas mediave të huaja, ngjarja tragjike ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të kësaj të diele, datë 25 maj dhe Ministria e Jashtme bën me dije se është informuar nga autoritetet gjermane për këtë aksident të rëndë rrugor.
‘Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme është informuar nga autoritetet gjermane për një aksident të rëndë rrugor të ndodhur në orët e para të mëngjesit të datës 25 maj, pranë qytetit Koblenz, ku janë përfshirë disa shtetas shqiptarë.
Me keqardhje njoftojmë se si pasojë e këtij aksidenti kanë humbur jetën tre shtetas shqiptarë, ndërsa katër të tjerë janë plagosur dhe po marrin trajtim në spitalet lokale. Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Berlin dhe Konsullata e Përgjithshme në Mynih kanë qenë në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet gjermane dhe kanë ndjekur nga afër zhvillimet. Hetimet për rrethanat e aksidentit janë ende në vijim.
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjet e viktimave dhe uron shërim të plotë për të plagosurit. Strukturat tona konsullore kanë ofruar mbështetjen e nevojshme për qytetarët e prekur dhe kanë qenë të angazhuara gjatë gjithë ditës për të ndihmuar në menaxhimin e situatës’, njofton Ministria e Jashtme e Shqipërisë.
Mediat gjermane kanë zbuluar detaje të reja rreth aksidentit tragjik rrugor që ndodhi mëngjesin e ditës së sotme pranë qytetit Koblenz, në Gjermani, që i mori jetën 3 shqiptarëve dhe mbetën të plagosur disa të tjerë.
Sipas Bild, viktimat janë një burrë 53-vjeçar dhe dy gra, të moshës 47 dhe 65 vjeç. Raportimet tregojnë se ata së bashku me 6 persona të tjerë mes moshës 20 dhe 66 vjeç po ktheheshin nga një festë familjare në Hesse.
Aksidenti ndodhi rreth orës 3:05 të mëngjesit, sipas policisë. Gjetjet fillestare tregojnë se një minibus me nëntë vende doli nga rruga dhe u përmbys. Në aksident nuk u përfshinë automjete të tjera, sipas policisë gjermane. Megjithatë, një makinë tjetër kaloi mbi “rrënoja” pas aksidentit
Shkaku i aksidentit mbetet i paqartë. Identitetet e disa prej personave në minibus ende nuk janë gjetur. Policia tha se përveç shqiptarëve në automjet kishte edhe shtetas të huaj.
Personeli i emergjencës në vendin e aksidentit në Rheinland-Pfalz u trondit gjithashtu nga numri i viktimave.
“Është një aksident vërtet i tmerrshëm”, i tha një zëdhënës i policisë Agjencisë Gjermane të Shtypit.
Autostrada fillimisht u mbyll plotësisht midis Koblenzit dhe Ochtendungut herët këtë mëngjes pasi operacionet e shpëtimit zgjatën me orë të tëra.